BALLKANI

Petroviq: U sulmova fizikisht nga dy persona afër Kuvendit të Kosovës

Një mosmarrëveshje që dyshohet për përplasje fizike ka ndodhur mes dy personave ende të dyshuar për policinë dhe deputetit nga pakica serbe në Kuvendin e Kosovës, Sllobodan Petroviq në Prishtinë

Agim Sulaj  | 20.03.2019 - Përdıtësım : 20.03.2019
Petroviq: U sulmova fizikisht nga dy persona afër Kuvendit të Kosovës

Prishtinë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës pa grup parlamentar nga Partia e Pavarur Liberale Serbe (SLS), Sllobodan Petroviq, thotë se është sulmuar nga dy njerëz që, sipas tij, janë anëtarë të Listës Serbe, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës tha se përleshja fizike ndodhi para konferencës, në një restorant afër ndërtesës së Kuvendit. “U sulmova fizikisht afër kësaj ndërtese (Kuvendit), pasi që edhe ju e dini që ditëve të fundit, ndaj meje dhe partisë sime zhvillohet një fushatë e orkestruar”, tha ai.

Sulmi, sipas tij, ka ardhur pas një letreje që ai ia ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi ky i fundit e ka kritikuar deputetin e Kosovës rreth votës së tij pro themelimit të ushtrisë.

Pas kësaj, Petroviq thotë se Vuçiç nuk ka reaguar më, por në vend të tij kanë reaguar disa anëtarë të Listës Serbe, nga të cilët, sipas tij, sot është sulmuar.

“Personi që më sulmoi ishte këshilltar i (Nenad) Rikallos. Para pak kohe shkova të pija një kafe në një restorant, dhe aty ishte Milan Kostiç, që për të gjithë komunitetin serb njihet për keq, pasi i njëjti në mënyrë të pandërprerë, në çdo mënyrë është munduar të më diskreditojë mua dhe partinë time, duke shkruar tekste të rrejshme. Kjo nuk i mjaftoi, por edhe në mënyrë fizike i ka kërcënuar njerëzit në zgjedhjet e fundit parlamentare”, deklaroi Sllobodan Petroviq në konferencën për media.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, që e konsideron si “mosmarrëveshje” që ka ndodhur mes tre personave.

“Sot rreth orës 10:30, Policia ka marrë informacionin se në rrugën 'Fazli Grajqevci' në Prishtinë, ka ndodhur një mosmarrëveshje në mes të tre personave. Lidhur me këtë rast, Policia ka shoqëruar në stacionin policor dy persona për të cilët ekziston dyshimi se mund të jenë përfshirë në rastin në fjalë”, shkruan në komunikatën e policisë, ku tutje thuhet se po merren të gjitha veprimet hetimore të nevojshme për rastin.

Nga ana tjetër Lista Serbe nëpërmjet një komunikate thotë se kreu i SLS-së, Sllobodan Petroviq e ka sulmuar anëtarin e partisë së saj, Milan Kostiç.

“Pa kurrfarë provokimi, në një restorant në Prishtinë, është sulmuar nga Sllobodan Petroviq, Milan Kostiç, i cili është goditur në kokë me një telefon celular dhe ka marrë lëndime. Duke shokuar të gjithë, Sllobodan Petroviq pas kësaj është ulur dhe ka porositur pije”, shkruan në komunikatë Lista Serbe.

Ndërkaq, Petroviq, reagimin e Listës Serbe e ka quajtur gënjeshtër. “Kjo nuk është hera e parë që gënjejnë”, potencoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.