Pesë vjet nga paraburgimi dhe gjykimi i ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve në Hagë
Në vitin 2021 filluan paraqitjet e para trupit gjykues, Thaçi dhe të tjerët u deklaruan të pafajshëm mbi akuzat që rëndojnë mbi ta
Prishtinë
AGIM SULAJ
Kanë kaluar pesë vjet prej kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara të jenë kryer gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-99.
Anadolu ka përpiluar informacionet lidhur me procesin e paraburgimit dhe gjykimet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më 4 nëntor 2020, Jakup Krasniqi u arrestua në Prishtinë, ndërsa më 5 nëntor Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës për t'u paraqitur vetë në Hagë, ku po atë ditë u paraqitën edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Që nga atëherë, të katër ish-krerët e UÇK-së, vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale.
- Në 2021 filluan paraqitjet e para të trupit gjykues
Në vitin 2021 filluan paraqitjet e para të trupit gjykues, Thaçi dhe të tjerët u deklaruan të pafajshëm mbi akuzat që rëndojnë mbi ta.
Gjykimi ndaj katër të pandehurve nisi tek në prill të vitit 2023, pasi paraprakisht zgjati më shumë se dy vjet faza e para-procedurave, dorëzimi i provave dhe proceset për parapërgatitje të gjykimit.
Prokuroria pretendon se ata kanë marrë pjesë në një "ndërmarrje të përbashkët kriminale" me qëllim sigurimin e kontrollit politik dhe ushtarak gjatë konfliktit, akuza që të katër i mohojnë, duke e cilësuar gjykimin si politikisht të motivuar dhe të padrejtë.
Në këto pesë vjet, mbrojtja ka kundërshtuar disa herë vazhdimin e paraburgimit për të pandehurit, duke kërkuar që ata të mbrohen në liri, mirëpo gjykata i ka refuzuar kërkesat duke argumentuar se një gjë e tillë përbën rrezik ndikimi tek dëshmitarët.
- 125 dëshmitarë dhe rreth 3.000 prova materiale
Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe paraqiti rreth 3.000 prova materiale deri më 16 prill 2025, kur prokuroria shpalli përfundimin e paraqitjes së provave të saj.
Procesi gjyqësor po vazhdon ende me dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes të cilët filluan të paraqiten nga shtatori 2025 me dëshmitarin e parë të mbrojtjes së Thaçit, ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Po ashtu, pjesë e dëshmitarëve të mbrojtjes është konfirmuar se do të jetë gjatë nëntorit edhe gjenerali në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark.
- Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015
Gjatë periudhës së mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, mijëra qytetarë për disa herë me radhë kanë protestuar në Kosovë por edhe në Shqipëri, për të kërkuar proces të drejtë dhe liri për ta, nën moton "Liria ka emër".
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, të cilët po qëndrojnë në paraburgim nga nëntori i vitit 2020 ngarkohen me akuzat për vrasje, ndalime të paligjshme dhe tortura, si dhe për pjesëmarrje në një "ndërmarrje të përbashkët kriminale" me synim marrjen e kontrollit mbi Kosovën me mjete të dhunshme.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë. Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
