BALLKANI

Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova ende pa institucione të reja

- Profesori universitar i shkencave politike, Dritëro Arifi për Anadolu thotë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka pasur një rast të ngjashëm kur institucionet të mbesin pa u formuar për kaq gjatë pas zgjedhjeve

Agim Sulaj  | 09.07.2025 - Përdıtësım : 10.07.2025
Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova ende pa institucione të reja Foto: Arkiv / AA

Prishtinë

AGIM SULAJ

Më 9 shkurt të vitit 2025 u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare në gjithë territorin e Kosovës, por, që nga ajo datë deri më sot ende nuk janë formuar institucionet e reja të dala nga këto zgjedhje.

Profesori universitar i shkencave politike, Dritëro Arifi në një intervistë për Anadolu thotë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka pasur një rast të ngjashëm kur institucionet të mbesin pa u formuar për kaq gjatë pas zgjedhjeve.

Përgjegjësia kryesore, sipas Arifit, i takon partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk po arrin ta krijojë një urë komunikimi me partitë shqiptare, të cilat "po shihen më shumë si armike se sa si parti me të cilat mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët".

Ai thekson se problemi qëndron tek të gjithë elita politike e cila kultivon një mentalitet dhe gjuhë të urrejtjes, pa vullnet për krijimin e komunikimit për të mirën e përbashkët.

"Hezitimi i partive për të bashkëpunuar e ka prodhuar këtë 'status-quo' e cila nuk do të ketë zgjidhje. Ajo që është me e keqja është që kjo nuk është vetëm 'status-quo', ne po ecim me hapa prapa, sepse kur nuk lëvizë tutje - shkon në minus, pra, është një regres në të gjitha pikat e dimensionet e progresit të shoqërisë dhe nëse nuk merren masa për të dalë nga kjo krizë, po hymë në ujëra të panjohura juridike-kushtetuese", thotë Arifi.


- "Në këtë periudhë pesëmuajshe nuk ka fitues por të gjithë janë humbës"

Sipas tij, në këtë periudhë pesëmuajshe nuk ka fitues por të gjithë janë humbës, e humbësi më i madh është Republika dhe qytetari i Kosovës i cili do të ndikohet në çdo aspekt.

"Unë mendoj që zgjedhjet janë i vetmi opsion për momentin, sepse, aq thellë kemi shkuar me neglizhimin ndaj republikës. Zgjedhjet do të ishin një opsion shumë i mirë, sepse, kjo do t'i kushtonte buxhetit, do t'i kushtonte partive politike por edhe qytetarit. Në njëfarë mënyre pastaj gjithë barra do t'i bije qytetarit të Kosovës se si do të votojë apo kë do ta votojë", thotë ai.

Arifi përfundon se një politikan që paguhet nga taksat e qytetarëve, duhet të ketë kujdes se si flet në publik, qoftë në fushata apo në paraqitje mediale dhe ata persona duhet të penalizohen nga qytetarët, ndërsa nëse nuk penalizohen edhe qytetarët bëhen pjesë e një anarkie.


- Që nga 15 prilli nuk është arritur të votohet kryetari i Kuvendit të Kosovës

Që nga 15 prilli kur u mbajt për herë të parë seanca konstituive, nuk është arritur të votohet edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, pikë e cila do ta mbyllte procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Që nga kjo datë, çdo 48 orë, ashtu siç lejon Kushtetuta, deputetët vazhdojnë të mblidhen në sallën plenare të Kuvendit, por pa rezultatin e synuar, 61 votat për emërimin e kryetarit të ri.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por, pa treguar se çfarë ndodhë nëse kjo nuk përmbushet nga ana e deputetëve.

Partitë politike janë pajtuar në konsultime me presidenten Vjosa Osmani që zgjedhjet e ardhshme lokale të mbahen më 12 tetor 2025 ndërsa disa përfaqësues të partive politike nuk e kanë përjashtuar mundësinë që bashkë me këtë datë të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.