BALLKANI

Persekutimi me të cilin u përballën muslimanët e Sanxhakut bëhet film dokumentar

Filmi i cili do të shfaqet në AJB DOC, flet për proceset e montuara policore-gjyqësore në Sanxhak gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë

Dejan Maksimovic   | 14.09.2020
Persekutimi me të cilin u përballën muslimanët e Sanxhakut bëhet film dokumentar Foto: Denis Zuberi/AA

Sarajevë

Filmi dokumentar "Procesi i Sanxhakut" i gazetarit serb nga Novi Sadi, Aleksandar Reljiç, që tregon persekutimin me të cilin u përballën muslimanët e Sanxhakut, do të shfaqet në edicionin e tretë të Festivalit të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC).

Aleksandar Reljiç, gazetar nga Novi Sadi dhe autor i filmit dokumentar "Procesi i Sanxhakut", në bisedë me Anadolu Agency (AA) theksoi se frikësohet se zhvillimet e fundit në Mal të Zi dhe kërcënimet ndaj boshnjakëve pas zgjedhjeve parlamentare, janë diçka e natyrshme.

"Procesi i Sanxhakut" është pikërisht një histori që trajton torturat ndaj banorëve boshnjakë të Sanxhakut, në pjesën serbe dhe malazeze, në kohën e luftës në Bosnje e Hercegovinë (BeH).

Filmi, thekson ai, është realizuar nga produksioni Core Dox në bashkëpunim me Al Jazeera Balkans, ku flitet për një histori të harruar dhe e cila në kohën kur ka ndodhur ishte e harruar nga mediat.

"Shumë pak njerëz edhe asokohe dinin për këto zhvillime. Por, për fat, kishte gazetarë këmbëngulës dhe kolegë të cilët ishin atje në atë kohë. Konkretisht flitet për aksionin policor ‘Maj '93’, që nisi në Serbi ku u arrestuan 25 anëtarë të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut dhe më vonë operacioni policorë ‘Lim’, që vetëm se pasoi, ku në Mal të Zi u arrestuan 21 anëtarë të SDA-së. Atëherë, të themi, u arrestua edhe kryetari i SDA-së për Mal të Zi, Harun Haxhiç. Flasim për kohën kur në hijen e luftës në BeH në rajonin e Sanxhakut kishte frikësime të ndryshme, të cilat asokohe definitivisht nuk ishin në fokusin e mediave", shpjegoi Reljiç temën e filmit.

Procesi i montuar policor dhe gjyqësor

Ai më tej shpjegoi për procesin e montuar politik që u zhvillua paralelisht në Novi Pazar dhe Bijelo Polje.

"Ata u akuzuan se kishin përgatitur kryengritje të armatosur me qëllim të themelimit të shtetit të Sanxhakut, ndërsa të akuzuarit, kaluan përmes një torture serioze policore dhe ishin të detyruar të nënshkruanin për atë që ishin akuzuar. Se sa ka të bëjë me një proces të montuar, flet edhe fakti se më vonë në Bijelo Polje me dy vite e gjysmë burg dënohet Ibrahim Çikiç, kinse për përgatitje të sulmeve me snajper, ndërsa ky ishte një person i cili njëzet vite më parë kishte humbur shikimin. Pra, kemi një rast të snajperisitit të verbër", thotë autori.

Sipas tij, i gjithë procesi përfundon pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit. Momir Bulatoviç, Presidenti i atëhershëm i Malit të Zi, fali 21 të paditur, ndërsa Gjykata e Lartë e Serbisë në vitin 1996 hodhi poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e ktheu gjyqin në fillim.

"Pra, në Serbi, ky proces vazhdoi për 20 vitet e ardhshme. Kishte mbi 100 seanca, dhe, në fakt, ka të bëjë me faktin se ata nuk mund të dënonin të akuzuarit sepse kurrë nuk kishte prova për këtë, dhe as nuk mund t'i lironin sepse nuk do të paguanin kompensim për to. Thjesht shkohej në vjetrimin e lëndës. Këta janë njerëz që u dënuan me vendimin e shkallës së parë me mbi 80 vjet burg, të akuzuar në Serbi dhe mbi 80 vjet burg u dënuan të akuzuarit në Malin e Zi. Ky thjesht është një rast për të cilin nuk dihet pothuajse asgjë dhe unë kam ndjerë si obligim të bëja një film për këtë", thotë Reljiç dhe shikon reagimet e mundshme në Serbi dhe Mal të Zi:

"Të mos paragjykoj, por mendoj se do të ketë shumë sulme. Do të ketë shumë reagime negative, sepse tema në vetvete është shumë e diskutueshme, nga njëra anë. Nga ana tjetër, bëhet fjalë edhe për partinë, përkatësisht anëtarët e partisë në Sanxhak, dhe pastaj, le të themi, përveç rrëmbimeve në Strpci, rrëmbimeve në Sjeverin dhe bombardimeve të fshatrave Kukuroviçi dhe Bukovica në Mal të Zi dhe raste të ndryshme të tjera që ndodhën, të gjithë kohën sa zgjati lufta në BeH, por edhe në zonën e Sanxhakut. Fakti që nuk kemi asnjë aktakuzë të Hagës për ndonjë të akuzuar dhe të dënuar, në fund të fundit, një gjykatë për krimet e tyre të kryera në Sanxhak, flet mjaft për faktin se gjithçka që ndodhi në Sanxhak është tabu", thekson Reljiç.

Viktimat në Sanxhak nuk njihen

Në mbështetje të kësaj, ai thekson se përveç në rastin e rrëmbimit të udhëtarëve nga autobusi në Sjeverin, nuk kishte gjykime ose padi.

"Edhe këto aktgjykime që u sollën në këtë rast u miratuan në mungesë. Të akuzuarit nuk ishin, në të vërtetë ishin në arrati. Viktimat në Sanxhak nuk u njohën në asnjë mënyrë, dhe, nga ana tjetër, trajtimi i kësaj teme është, kam frikë, ngacmimi i ariut", shprehet Reljiç.

Ai thotë se me temat që janë tabu në Serbi merret për gati 25 vjet, për sa kohë që zgjat karriera e tij gazetareske, nga e cila jeton.

"Unë gjithmonë jam marrë me tema si kjo. Nuk është asgjë e rastësishme, është me të vërtetë që nga fillimi. Mund të them se 20 ose më shumë vjet më parë mund të punoja dhe të merresha me këto tema më lehtë sesa sot. Sot e djathta dhe kjo lloj ksenofobie në përgjithësi është edhe më e pranishme sesa ishte një çerek shekulli më parë, edhe pse ato tmerre dhe krime dhe gjithçka tjetër kanë ndodhur atëherë, por mua më duket se publiku shumë më tepër normalisht u qasej këtyre temave. Sot nuk duan të thellohen në këto tema, sot përndryshe, më duket, se publiku është i tillë, nëse nuk kanë lexuar diçka në titull nuk lexon më tej. Thjesht njerëzit nuk thellohen më shumë, kanë ca realitete përfundimtare të tyre, dhe në përputhje me to, gjithçka që është ndryshe dhe e ndryshme është subjekt i sulmeve", thotë Reljiç dhe vazhdon:

"Kishte gjithçka dhe çdo gjë. Pres këtë edhe tani, por nëse do t'u kushtoja vëmendje këtyre gjërave, me të vërtetë nuk do të merresha me këto tema atëherë. Nga ana tjetër, unë nuk kam asnjë iluzion se do t'i ndryshoj mendjen dikujt. Unë thjesht e di se do t'u jap inkurajim shumë njerëzve që mendojnë normalisht në një farë mënyre të vazhdojnë të mendojnë në atë mënyrë".

Duke komentuar kërcënimet e fundit ndaj boshnjakëve në pjesën malazeze të Sanxhakut, pas zgjedhjeve parlamentare, Reljiç beson se kjo ishte e natyrshme.

"Unë njohë situatën në Mal të Zi, në fund të fundit, në këtë film kemi të bëjmë me situatën në Mal të Zi, kemi të bëjmë edhe me estabilishmentin e atëhershëm në Mal të Zi. Le të jemi të sinqertë se një pjesë e atij estabilishmenti, madje edhe sistemi, mbeti i njëjtë për sa i përket disa zgjidhjeve personale, por ndryshoi. Pra, pas '97 Mali i Zi ka ndryshuar, por në esencë nuk ka ndryshuar ajo që ka ekzistuar në Malin e Zi si konflikt dhe qëndrim serioz ndaj boshnjakëve, si në veri të Malit të Zi ashtu edhe në atë pjesë të Sanxhakut. Thjesht edhe shoqëria në Mal të Zi nuk është përballur me të gjitha tmerret që kanë ndodhur në 100 vitet e fundit në atë zonë. Nëse do të flasim për këtë të fundit, kam frikë se ajo që ka ndodhur ka ndodhur natyrshëm", thotë Reljiç dhe shton:

"Më duket se ajo që ndodhi është e natyrshme sepse shoqëria malazeze në përgjithësi kurrë nuk ka hapur temat e dhimbshme, për shembull, si tema e Shahoviçit. Pra, nga viti 1924 e deri më sot, ajo temë nuk është hapur".

AJB DOC shumë e rëndësishme për autorët

Për Reljiç, festivali Al Jazeera Balkans DOC është më i rëndësishmi, sepse ai ishte me filmin e tij në edicionin e parë, dhe të hënën ai do të shfaqë filmin edhe në edicionin e tretë.

"Në çdo rast, është vërtet shumë e rëndësishme për ne autorët, sepse është plotësisht e përqendruar në dokumentar. Nuk është e njëjta gjë kur je pjesë e një përzgjedhje dokumentari në disa festivale të tjera dhe kur festivali i kushtohet tërësisht filmit dokumentar. Al Jazeera është padyshim një platformë që ka bërë shumë për të zhvilluar industrinë e filmit dokumentar në rajon", tha Reljiç.

Pavarësisht nga fakti që edicioni i këtij viti i AJB DOC është online, ai thotë se është optimist dhe se është i lumtur që filmi "Xhemo", i cili hapi edicionin e tretë të festivalit të premten në mbrëmje, u shikua nga mbi 12 mijë njerëz në vetëm një ditë.

Reljiç kishte një periudhë zhgënjyese në fillim të pandemisë së koronavirusit, kur ishin në fuqi kufizimet më rigoroze në Serbi. Ai shton se, për fat të mirë, filmi "Procesi i Sanxhakut" ishte në fazën e post-produksionit, i cili mund të bëhej nga shtëpia.

"Por, nga ana tjetër, ishte zhgënjyese sepse e shihni që diçka po ndodh dhe duhet të reagoni dhe thjesht duhet ta filmoni atë në kohë. Dhe nuk dija çfarë të bëja dhe pastaj mendova të animoj disa nga kontaktet e mia, miqtë e mi, të njohurit në të gjithë botën, të cilët përsëri do të animojnë të njohurit e tyre për të filmuar në celular dhe për të regjistruar dëshmitë e tyre për pandeminë, për atë, mbi të gjitha, izolimin zhgënjyes. Pra, kemi një material gigabajtësh interesant, kështu që mbase unë ende do të bëj një film për këtë", tha Reljiç.

Në ditët e sotme plot ksenofobi

Gazetari i Novi Sadit është autori i filmit "Enkel", përkthyer nga gjermanishtja "Nipi", në lidhje me marrëdhëniet midis Eva Mozes Kor, një e burgosur e kampit famëkeq Auschwitz, dhe Rainer Hoess, nipi i komandantit të kampit Rudolf Hoess. Ndër të tjera, ai mori çmimin e programit në edicionin e parë të AJB DOC, i cili gjithashtu thotë se është i preferuari i tij. Ai thotë se filmi doli shumë mirë edhe në festivale të tjera, por ai thotë se rrëfimi në vetvete ishte pak i paqartë për publikun, si dhe për juritë.

"Nipi i përbindëshit, kriminelit më të madh në historinë e njerëzimit, që ky nip përballet me këtë krim, se ky nip përpiqet të takojë viktimat e gjyshit të tij dhe të luftojë kundër të gjitha llojeve të neo-nazizmit, antisemitizmit, racizmit, ksenofobisë, që, në fund, e burgosura e mbijetuar adopton në mënyrë simbolike si nipin e saj dhe nënshkruan një zotim se do të luftojnë së bashku këto plagë. Në kohën e sotme, e cila është plot ksenofobi, nuk kaloi thjesht deri në fund", thekson Reljiç.

Si një nga arsyet, ai përmend faktin që në ditët e sotme gjithçka duhet të jetë e zezë ose e bardhë, dhe se nuk ka asgjë në mes. Si shembull, ai përmend procesin aktual në të cilin aktori i filmit të tij, një vit pasi Eva ndërroi jetë, në disa media izraelite u quajt mashtrues, që gjithashtu u transmetua nga disa media gjermane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın