BALLKANI

Pendarovski: Liderët e partive politike kanë shfaqur kapacitet të qartë shtetformues

Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se të gjithë liderët e ftuar në takim kanë shfaqur kapacitet shtetformues dhe se ka konsensus shtetëror për çështjen e eurointegrimeve

Abdula Berisha  | 20.10.2019 - Përdıtësım : 21.10.2019
Pendarovski: Liderët e partive politike kanë shfaqur kapacitet të qartë shtetformues ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Shkup

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se kryetarët e partive politike parlamentare, në kërkesë të tij, kanë riafirmuar qëndrimin se vazhdojnë në rrugën e njëjtë të integrimeve evropiane, pa marrë parasysh vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Pendarovski mbajti një konferencë për media në "Villa Vodno" ku po mbahet takimi i liderëve të partive politike parlamentare.

Ai tha se në takimin e liderëve diskutohet për dy pika, për vendimet e Këshillit të BE-së dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të paralajmëruara nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Pendarovski sqaroi se deri më tani ka përfunduar diskutimi për pikën e parë dhe se do të vazhdojë diskutimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në lidhje me pjesën e parë të takimit, Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut për të tretën herë gjendet në situatë të njëjtë sa i përket etablimit të shtetit në planin ndërkombëtar. Ai i cilësoi si "jashtëzakonisht të pafavorshme" vendimet e Këshillit të BE-së, i cili vendosi që të mos fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se të gjithë liderët e ftuar në takim kanë shfaqur kapacitet shtetformues dhe se ka konsensus shtetëror për çështjen e eurointegrimeve.

"Mua më vjen mirë, këtë dua ta theksoj në opinion, që të gjithë liderët e ftuar të partive politike, kanë shfaqur kapacitet të qartë shtetformues dhe qëndruan pas këtij qëllimi strategjik të cilin ne e kemi vendosur që në vitet e 90-ta. Pra, asnjë prej tyre, nuk lëshoi rastin që të thotë se kjo është rruga e vetme në të cilën duhet të shkojë vendi ynë, Maqedonia e Veriut, dhe se nuk ekzistojnë asnjëfarë alternativa të kësaj rruge", tha Pendarovski, duke iu referuar integrimit të vendit në BE.

Presidenti Pendarovski gjithashtu tha se kryetarët e partive politike janë shprehur se nuk kanë problem me metodologjinë e re të bisedimeve për anëtarësim, edhe nëse ajo parasheh rikthim në kapitujt e mbyllur gjatë procesit të bisedimeve.

Pendarovski gjithashtu tha se "ne jemi pjesë e Evropës", duke përmendur dokumetet bazike të vitit 1957 të BE-së ku thuhet se çdo shtet i kontinentit evropian që ka përmbushur kushtet, ka të drejtë të aplikojë dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së, duke shtuar se "ne nuk kërkojmë asnjë alternativë të këtij formati".

Në takimin e liderëve marrin pjesë kryetarët e partive nga pushteti dhe opozita, duke përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev; kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski; kryetarin e Bashkimit Demokratik pë Integrim (BDI), Ali Ahmeti; kryetarin e partisë AlternAtivA, Afrim Gashi; kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela; kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami; dhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.