BALLKANI

Pendarovski dekreton Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike

Pas nënshkrimit të dekretit për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike, presidenti Pendarovski tha: “Për këtë kemi pritur 30 vite, por ia vlente, ta kemi me fat”

Husamedın Gına  | 12.02.2020 - Përdıtësım : 13.02.2020
Pendarovski dekreton Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike

Shkup

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot nënshkroi dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas nënshkrimit të dekretit për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike, presidenti Pendarovski tha: “Për këtë kemi pritur 30 vite, por ia vlente, ta kemi me fat”.

Dje Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me 144 vota “për” miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike.

Ligji në fjalë është me fuqi veprimi të prolonguar, gjegjësisht do të vlejë kur edhe vendi i fundit anëtar i Aleancës, Spanja, ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Votimi për këtë marrëveshje me fuqi veprimi të prolonguar është për shkak se Kuvendi duhet të shpërndahet para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parapara më 12 prill të këtij viti.

Rikujtojmë se Maqedonia e Veriut më 12 korrik të vitit 2018 në Samitin e NATO-s në Bruksel mori ftesë që të bëhet anëtare e Aleancës. Më pas, Protokolli për anëtarësimin e vendit në NATO u nënshkrua në selinë e NATO-s në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar. Që atëherë filloi procesi i ratifikimit të këtij Protokolli në parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës. Deri tani protokollin e kanë ratifikuar 28 shtete, ndërsa Spanja, pas formimit të qeverisë e filloi këtë proces.

Sipas deklaratave të përfaqësuesve të kreut shtetëror të Maqedonisë së Veriut, pritet që vendi zyrtarisht të bëhet anëtar i NATO-s gjatë muajit mars të këtij viti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın