Peleshi vizitë në Prishtinë: Rikonfirmojmë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Kosovën
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit strategjik dhe institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës
Tiranë
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Prishtinë, ndërkohë është takuar me Presidenten Vjosa Osmani, Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu dhe Kryeministrin Albin Kurti, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit strategjik dhe institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, "duke rikonfirmuar marrëdhënien e shkëlqyer dhe vëllazërore mes dy vendeve".
Gjatë takimit me Presidenten Osmani, kryeparlamentari Peleshi sipas njoftimit rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Kosovën në arenën ndërkombëtare, për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
"Në takimin me Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu u përshëndet konstituimi pa vonesa i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nisja e legjislaturës së re. Kryetari Niko Peleshi vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit parlamentar mes dy Kuvendeve, mbështetur përmes memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2022, si dhe përmes mbledhjeve të përbashkëta në Tiranë dhe Prishtinë. Gjithashtu kryetari Peleshi, përshëndeti rezolutën në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se ky vendim përfaqëson një shprehje të qartë të vullnetit politik dhe solidaritetit institucional, duke riafirmuar mbështetjen për një proces të drejtë dhe të paanshëm, si dhe për ruajtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare", thekson njoftimi.
Gjithashtu thuhet se u vlerësua orientimi i qartë pro-evropian i Kosovës, përputhja me politikën e jashtme të BE-së dhe angazhimi për reforma në funksion të sundimit të ligjit.
Peleshi ka theksuar se Shqipëria do të vijojë të jetë zëri më i fuqishëm në mbështetje të Kosovës, "veçanërisht në përpjekjet për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe anëtarësim në NATO".
"Në takimin me Kryeministrin Albin Kurti u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha dimensionet, si dhe për zhvillimet rajonale. U nënvizua rëndësia e bashkëpunimit parlamentar si nxitës i marrëdhënieve dypalëshe, u riafirmua mbështetja për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të bazuar në njohje të ndërsjellë. Palët ndanë vlerësimin se Kosova ka demonstruar përkushtim të qartë ndaj vlerave euroatlantike dhe se heqja e masave kufizuese nga BE-ja përbën një hap pozitiv për avancimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike të saj", thuhet në njoftim.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, vizita e kryparlamentarit Peleshi në Prishtinë shërbeu si një moment i rëndësishëm për koordinimin politik dhe institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës, "duke forcuar më tej dimensionin mbarëkombëtar të bashkëpunimit dhe duke përcjellë një mesazh të qartë stabiliteti dhe partneriteti strategjik në rajon".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
