BALLKANI

Peleshi vizitë në Francë: Anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Francë, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit

Fatjon Cuka  | 27.02.2026 - Përdıtësım : 27.02.2026
Peleshi vizitë në Francë: Anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë Foto: Kuvendi i Shqipërisë

Tiranë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi dhe delegacioni që ai kryesoi u pritën nga presidentja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yaël Braun-Pivet, transmeton Anadolu.

Kryeparlamentari Peleshi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Francë, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, gjatë takimit me presidenten e Asamblesë Kombëtare të Francës, u "konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve".

"Kryetari Peleshi vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën kulturore, arsimore dhe ekonomike, si dhe për rritjen e rolit të parlamenteve në mbështetje të procesit të integrimit evropian", thekson njoftimi.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit evropian, Peleshi ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë.

Peleshi theksoi se Shqipërinë dhe Francën i lidh një miqësi historike dhe partneritet strategjik, "si aleate të besueshme në NATO" dhe se "Shqipëria mbështet Ukrainën në mbrojtje të lirisë, integritetit territorial dhe vlerave demokratike".

Gjithashtu thuhet se Braun-Pivet vlerësoi bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe progresin e vendit drejt BE-së.

"Ajo (Braun-Pivet) dhe deputetët francezë, të pranishëm në takim, shprehën interes për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, zgjerimin e BE-së, rolin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, kulturor dhe rolin e diasporës shqiptare në Francë", thuhet në njoftim.

"Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Francë dhe bashkëpunimit në shërbim të integrimit evropian dhe stabilitetit rajonal", thekson ndër të tjera njoftimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın