Peleshi: Italia mbetet një partnere strategjike dhe një aleate e fuqishme e Shqipërisë
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se me vizitën zyrtare në Itali, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi vijon turin e diplomacisë parlamentare për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE
Tiranë
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, ndërkohë ai ka theksuar se Italia mbetet një partnere strategjike dhe një aleate e fuqishme e Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se me vizitën zyrtare në Itali, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi vijon turin e diplomacisë parlamentare shqiptare për avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Peleshi ka zhvilluar një takim me presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Lorenzo Fontana.
"Kryetari Peleshi theksoi se Italia mbetet partnere strategjike e Shqipërisë dhe një nga aleatet më të fuqishme në rrugëtimin drejt BE-së. Ai nënvizoi se Shqipëria është vendi kandidat që po ecën më shpejt, me më shumë vendosmëri dhe qartësi drejt BE-së, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka një rol udhëheqës në procesin e anëtarësimit. Peleshi vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria dhe shqiptarët janë faktor stabiliteti, sigurie dhe paqeje në rajon, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Ai riafirmoi se BE-ja është destinacioni i vetëm strategjik për Ballkanin Perëndimor", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Fontana e cilësoi Italinë një mike të ngushtë dhe partnere strategjike të Shqipërisë, duke theksuar se "marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel të shkëlqyer".
"Ai (Fontana) rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Italisë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik. Fontana theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar në mbështetje të bashkëpunimit kulturor, arsimor, universitar, në turizëm dhe në fushën e mbrojtjes, si elementë thelbësorë për Evropën, Ballkanin dhe Mesdheun. Ai vlerësoi komunitetin shqiptar në Itali si një komunitet të jashtëzakonshëm dhe riafirmoi mbështetjen e Italisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, si kontribut për stabilitetin dhe sigurinë rajonale", thekson njoftimi.
Gjithashtu theksohet se u nënvizua rëndësia strategjike e Korridorit VIII, si një korridor kyç për konektivitetin, zhvillimin ekonomik, energjinë dhe sigurinë.
Nga na tjetër, në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me vizitën, Peleshi ka theksuar se Italia mbetet një partnere strategjike e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE si dhe në bashkëpunimin "për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, Mesdhe dhe më gjerë".
