Bota, BALLKANI

PE: Eurodeputetët bëjnë thirrje për miratim urgjent të një regjimi pa viza për Kosovën

“Fatkeqësisht, BE-ja ka dështuar në përmbushjen e premtimit të vonuar prej kohësh për të ofruar udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës”, tha raportuesja Viola von Cramon-Taubadel

Agim Sulaj  | 06.07.2022 - Përdıtësım : 07.07.2022
PE: Eurodeputetët bëjnë thirrje për miratim urgjent të një regjimi pa viza për Kosovën

Prishtinë

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport ku përgëzojnë stabilitetin politik dhe përkushtimin e fortë evropian në Kosovë si dhe u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), që urgjentisht të miratojnë një regjim pa viza për qytetarët kosovarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Parlamenti Evropian (PE), eurodeputetët kanë theksuar në raport se “çdo vonesë e mëtejshme do të minonte besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së si një partner i besueshëm”.

Raporti është miratuar me 469 vota 'pro', 96 'kundër' dhe 72 abstenime, duke rikonfirmuar sipas PE-së mbështetjen e qartë të Parlamentit për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe duke ritheksuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizim “e cila është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë për të avancuar në rrugët e tyre përkatëse evropiane dhe stabilitetin rajonal”.

Duke përshëndetur përafrimin e Kosovës me BE-në për sanksionet kundër Rusisë dhe solidaritetin e saj të fortë me Ukrainën, eurodeputetët theksuan gjithashtu se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, derisa i bënë gjithashtu thirrje vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, ta bëjnë këtë menjëherë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel, tha se votimi i raportit në fjalë tregon përkushtimin e fortë të Parlamentit ndaj integrimit të Kosovës në BE dhe ofron udhëzime se si mund të zbatohen standardet e BE-së.

“Kosova ka dëshmuar vazhdimisht përkushtimin e saj për të avancuar në reformat që kanë të bëjnë me BE-në dhe e ka pozicionuar veten si një partner shumë i besueshëm, i ankoruar thellë në aleanca evropiane dhe transatlantike. Fatkeqësisht, BE-ja ka dështuar në përmbushjen e premtimit të vonuar prej kohësh për të ofruar udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë me të vërtetë shpresoj se ky do të jetë raporti i fundit që përmend këtë dështim. Sa i përket Këshillit (Këshillit të Evropës), në këtë kontekst dëshiroj t'i drejtohem drejtpërdrejt Francës dhe Holandës - tani është koha për të miratuar vendimin për liberalizimin e vizave”, tha raportuesja Viola von Cramon-Taubadel.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në, megjithëse që nga viti 2018, ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, pasi Komisioni Evropian ka konkluduar se i ka përmbushur të gjitha kriteret, gjithsej 95.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.