BALLKANI

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shënohet edhe një dështim në konstituimin e Kuvendit

- Seancës së sotme i parapriu një takim nga përfaqësuesit politikë, i thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari

Agim Sulaj  | 27.06.2025 - Përdıtësım : 27.06.2025
Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shënohet edhe një dështim në konstituimin e Kuvendit Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Pavarësisht vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese që Kuvendi i Kosovës të konstituohet jo më larg se 30 ditë, është shënuar një përpjekje e radhës e dështuar për konstituimin e këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.

Seancës së sotme i parapriu një takim nga përfaqësuesit politikë, i thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Dehari tha se në këtë takim i cili erdhi pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e solli dje, u mblodhën me përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultë paraprake dhe të gjithë ishin të mendimit që seanca e sotme të ndërpritet, pasi nesër kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, do të takohet me krerë të subjekteve tjera politike për të gjetur zgjidhje politike për konstituimin e Kuvendit.

"Pasi të mbahet nesër takimi i liderëve politikë, të vazhdojmë me seancë më 29 qershor në ora 11:00. Urojmë që t'i jepet fund këtij ngërçi", theksoi Dehari.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare zhvilluan takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu.

Në aktgjykimin e publikuar si përgjigje dhënë partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për çështjen e kalimit të votimit për Kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në votim të mbyllur, gjykata po ashtu konstatoi që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj çdo 48 orë, nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın