BALLKANI

Parlamenti i Sllovenisë voton për të legalizuar vdekjen e asistuar

Ligjvënësit miratuan projektligjin që mundëson vdekjen e asistuar në rastet e vuajtjeve të padurueshme kur të gjitha opsionet e trajtimit janë shteruar

Abdulbesar Ademi  | 20.07.2025 - Përdıtësım : 20.07.2025
Parlamenti i Sllovenisë voton për të legalizuar vdekjen e asistuar

Shkup

Parlamenti i Sllovenisë ka miratuar një ligj që u jep të rriturve me sëmundje terminale të drejtën për t’i dhënë fund jetës së tyre, pasi shumica e votuesve e mbështetën këtë masë në një referendum, transmeton Anadolu.

Siç raportojnë mediat lokale, ligjvënësit miratuan projektligjin të premten e kaluar, me 50 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime, që mundëson vdekjen e asistuar në rastet e vuajtjeve të padurueshme kur të gjitha opsionet e trajtimit janë shteruar.

E drejta për vdekje të asistuar nuk do të jetë e vlefshme në rastet e vuajtjeve të padurueshme që rrjedhin nga sëmundjet mendore.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në javët në vijim.

Në një referendum këshillues vitin e kaluar, 55 për qind e sllovenëve votuan në favor të vdekjes së asistuar.

Këtë javë, Komisioni për Etikën Mjekësore i Sllovenisë tha se mbetet i vendosur në qëndrimin se projektligji mbart rreziqe të larta etike pavarësisht disa ndryshimeve gjatë miratimit në parlament.

Tereza Novak, një ligjvënëse nga Lëvizja për Liri në pushtet, e cila kishte mbështetur projektligjin, tha në parlament se "e drejta (për vdekje të asistuar) nuk përfaqëson një disfatë për mjekësinë".

"Do të ishte gabim që mjekësia t'i privojë njerëzit nga e drejta e tyre për të vdekur nëse ata duan dhe mjekësia nuk mund t'i ndihmojë ata", tha deputetja liberale.

Partia Demokratike Sllovene (SDS) konservatore e ka denoncuar projektligjin, duke theksuar se ai "hap derën për një kulturë vdekjeje, humbje të dinjitetit njerëzor dhe minimizim të vlerës së jetës, në veçanti të më të prekshmëve".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.