BALLKANI

Parku "Mbretëresha Geraldinë" në Burrel, një park unik dhe nga më të vjetrit në Ballkan

I vendosur në qytetin e Burrelit, Bashkia Mat, parku konsiderohet një thesar natyror dhe kulturor jo vetëm për banorët e rrethit të Matit, por edhe më gjerë dhe mban emrin e Mbretëreshës Geraldinë, bashkëshortes së Mbretit Zog.

Fatjon Cuka  | 22.11.2025 - Përdıtësım : 22.11.2025
Parku "Mbretëresha Geraldinë" në Burrel, një park unik dhe nga më të vjetrit në Ballkan Foto: Olsi Shehu/AA

Burrel

BURREL (AA) - FATJON CUKA - Parku "Mbretëresha Geraldinë" është një park unik në Shqipëri dhe një nga më të vjetrit në vend, por edhe në Ballkan.

I vendosur në qytetin e Burrelit, Bashkia Mat, në verilindje të Shqipërisë, parku konsiderohet një thesar natyror dhe kulturor jo vetëm për banorët e rrethit të Matit, por edhe më gjerë dhe mban emrin e Mbretëreshës Geraldinë, bashkëshortes së Mbretit Zog.

- Parku konsiderohet si një trashëgimi e lënë nga familja mbretërore

Parku mbart një histori të veçantë, të ndërthurur mes familjes mbretërore shqiptare nga njëra anë, kohës së krijimit dhe llojshmërisë së pemëve të rralla dhe shumëvjeçare nga ana tjetër.

Parku është krijuar mbi 90 vite më parë, me iniciativën e familjes mbretërore shqiptare, në kohën e Mbretit Zog, pikërisht në vendlindjen e tij në Mat, me pemë të veçanta, si një dhuratë për Matin.

I konsideruar si një trashëgimi e lënë nga familja mbretërore, pjesë e parkut janë akoma pemë të rralla shumëvjeçare që janë sjellë nga vendet e Evropës, Azisë, Afrikës, Amerikës apo dhe vende të tjera.

Parku, i cili është ngritur në kohën e Mbretit Zog në vitet 1933-1935, ka një sipërfaqe rreth 3 hektarë, ndërkohë që është pasuruar me pemë të shumëllojshme edhe gjatë dekadave të fundit.

Përbërja unike e parkut është në varietetet e pemëve, duke përfshirë llopje si dëllinja gri, cedrus, kriptomeria japoneze, pisha, disa lloje të selvive dhe shumë pemë të tjera që janë mbjellë në park në kohën e krijimit të tij, por edhe me kalimin e viteve.

- Një destinacion turistik i njohur

I "veshur" me ngjyrat e vjeshtës, parku ofron një pamje shumëngjyrëshe unike, ndërkohë pas rinovimit të tij disa vite më parë është edhe një vend argëtimi dhe pushimi për qytetarë të moshave të ndryshme.

Parku tërheq vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj në të gjitha stinët e vitit, duke e shndërruar parkun edhe në një destinacion turistik të njohur të qytetit të Burrelit.

Brenda ambienteve të Parkut "Mbretëresha Geraldinë" janë edhe Myftinia e Matit, një xhami dhe Pallati i Kulturës së Burrelit.

Teksa përshkruan parkun, spikasin disa tabela me mbishkrime të veçanta, si "Nëse të pëlqen të dëgjosh cicërimat e zogjve mbill një pemë" apo "Nëse të pëlqen jeta mbill shumë pemë".

- Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë

Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu lindi më 8 tetor 1895 në Kështjellën e Burgajetit në Mat. Më 31 janar 1925, Ahmet Zogu u zgjodh si president i Republikës së parë shqiptare.

Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Mbretëri të Trashëgueshme Kushtetuese Demokratike dhe Ahmet Zogun Mbret të Shqiptarëve me titullin Zogu I.

Periudha e mbretërisë në Shqipëri zgjati deri më 7 prill vitin 1939, kur vendi u pushtua nga Italia fashiste.

Ahmet Zogu ndërroi jetë më 9 prill 1961 në Paris, ndërsa eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në nëntor 2012, ku me një ceremoni shtetërore u vendosën që të prehen në mauzoleun e familjes mbretërore në Tiranë.

Mbretëresha Geraldinë lindi më 6 gusht 1915 në Budapest dhe ishte me origjinë hungareze. Ajo lindi si Kontesha Geraldine Margit Virginia Olga Maria Apponyi de Nagy-Appony.

Geraldina u bë bashkëshortja e Mbretit Zog, duke u martuar më 27 prill 1938 me një ceremoni në Tiranë. Mbretëresha Geraldine ndërroi jetë më 22 tetor 2002, në moshën 87-vjeçare në Shqipëri dhe eshtrat e saj prehen në Tiranë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın