Pa rezultate konkrete takimi i presidentes Osmani me krerët e partive politike
Presidentja Vjosa Osmani tha se ky është vetëm takimi i parë dhe nëse është e nevojshme, do t’i takojë nga java tjetër edhe liderët individualisht
Prishtinë
Ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret takimi i presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive politike shqiptare të Kuvendit të Kosovës, me qëllim gjetjen e një zgjidhje për zhbllokimin e procesit për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të përgjitshme në vend, raporton Anadolu.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ky është vetëm takimi i parë dhe nëse është e nevojshme, do t’i takojë nga java tjetër edhe liderët individualisht.
Osmani tha se institucioni presidencës nuk përfaqëson ndonjë parti, por përkundrazi. Ajo tha se kanë diskutuar për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Osmani tha se në takim me liderët politikë i ka përmendur disa nga pasojat nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, ku për këtë shkak shumë procese ekonomike dhe zhvillimore mbesin pa u miratuar, përfshirë edhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
“Dua që t’i përgëzoj të gjithë liderët pjesëmarrës për qasjen konstruktive përgjatë këtij takimi”, tha ajo.
“Ekziston një disponim minimal i cili jam e bindur që do të rritet me kalimin e kohës, e cila besoj se nuk do të jetë kohë e gjatë. Por, çfarë ka dëshmuar takimi sotëm, është që dialogu politik, dialogu konstruktiv, dialogu i bazuar në parimin e ndërsjellë është i domosdoshëm, për vendin, institucionet, qytetarët dhe imazhin e Kosovës botërisht”, theksoi Osmani.
Tutje, Osmani tha se pavarësisht ndryshimit në qëndrime, takimi me liderët politikë ishte me respekt të ndërsjellë dhe konstruktiv, por, përderisa nuk votohet Kryetari i Kvuendit të Kosovës, nuk mund të konsiderojnë që është bërë zgjidhje.
Kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se situata vazhdon të jetë njësoj, pa zgjidhje, por takimi duhet të shihet si një hap para drejt zhbllokimit të ngërçit.
“Fatkeqësisht, jemi në situatën pothuajse të njëjtë, por, megjithatë, duhet ta shohim si hap para këtë takim, një përpjekje shtesë edhe nga ana e involvimit të presidentes në këtë temë për të gjetur një rrugëzgjidhje”, theksoi Krasniqi.
Ai gjithashtu tha se ka propozuar që presidentja, në zbatim të përgjegjësive që i ka për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, që në një moment kur ajo e vlerëson të nevojshme, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, qoftë me një pyetje apo përmes dërgimit të një lënde në Kushtetuese për gjithë procesin zgjedhor.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, konsideroi se gjendja aktuale mbetet e njëjtë edhe pas takimit me presidenten Osmani.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk është e interesuar të vazhdojë me mbledhjet në Kuvend çdo 48 orë.
“Partitë politike qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik dhe nuk as iniciativë që do ta zhbllokojë këtë gjendje të tanishme. Kjo është për keqardhje sepse gjendja e tanishme me 16 herë përsëritje, një muaj vonesë dhe më së paku iniciativë nga partia e parë që i ka 48 deputetë, nënkupton se nuk ka as brengë, e besa siç e pash në takim as urgjencë, që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, theksoi ai.
Ai tha se po ashtu në takim kanë propozuar idenë e qeverisë së unitetit për një periudhë të shkurtër, kalimtare dhe kishte një reflektim pozitiv nga partitë e tjera përpos Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e dha shkurt qëndrimin e partisë së tij, që presin që ta votojnë për kryetar të Kuvendit “një person unifikues”.
Kuvendi i Kosovës, nga 15 prilli kur është mbajtur seanca e parë konstituive, po dështon në pikën e tretë të rendit, atë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
