Përfundon votimi për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë në këtë raund kishin 1.013.375 qytetarë në gjithsej 1.777 vendvotime.
Shkup
Në orën 19:00 në Maqedoninë e Veriut u mbyllën zyrtarisht kutitë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilën qytetarët dolën për të përzgjedhur kryetarët për 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, raporton Anadolu.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë në këtë raund kishin 1.013.375 qytetarë në gjithsej 1.777 vendvotime.
KSHZ-ja bëri të ditur se dalja në votime deri në mbylljen e kutive ka qenë 45,71 për qind.
Votimi i sotëm filloi në orën 07:00, ndërsa procesi u ndoq nga 1.598 vëzhgues, prej të cilëve 933 vendas dhe 651 ndërkombëtarë.
Nga gjithsej 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit, votimi për kryetarë komunash në raundin e dytë u zhvillua për kreun e kryeqytetit dhe në komunat Aerodrom, Bogovinë, Brvenicë, Çeshinovë-Obleshevë, Çuçer-Sandevë, Debarcë, Demir Kapi, Dibër, Dojran, Dollnen, Karposh, Kërçovë, Koçan, Konçe, Krushevë, Kumanovë, Llozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Qendër, Rankoc, Rosoman, Shuto Orizari, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Vallandovë, Vinicë dhe Zrnovcë.
Po ashtu, në Komunën Shuto Orizari, në tri vendvotime, u përsërit votimi për këshillin komunal.
Në raundin e parë, të mbajtur më 19 tetor, u zgjodhën 44 kryetarë komunash dhe këshillat komunalë. Sipas rezultateve të atij raundi, partia në pushtet VMRO-DPMNE fitoi 32 komuna, aleanca bashkëqeverisëse VLEN mori 5, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) fitoi 4, ndërsa koalicioni nën drejtimin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) arriti të marrë 3 komuna.
Në disa komuna – Gostivar, Vrapçisht, Qendër-Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë – në raundin e parë nuk u arrit pragu minimal i daljes dhe do të nisë procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare, sipas Kodit Zgjedhor.
Pas mbylljes së vendvotimeve, komisionet vendore do të fillojnë numërimin e votave, ndërsa rezultatet paraprake pritet të publikohen nga KSHZ-ja pas përfundimit të procesit të numërimit dhe verifikimit të procesverbaleve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
