Osmani: Zgjedhjet janë proces demokratik ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët
“Shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme”, tha Osmani
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, raporton Anadolu.
Osmani, e cila priti në radhë për të votuar në klasën e paracaktuar, në fjalën e saj pas procesit të votimit u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
Ajo uroi për zgjedhje të qeta, të rregullta dhe demokratike dhe me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve.
“Si gjithnjë, zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Dhe, shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë”, tha Osmani.
Presidentja kosovare falënderoi të gjitha institucionet për angazhimin që procesi zgjedhor të jetë i rregullt.
Gjatë procesit të votimit, presidentja Osmani shoqërohej nga bashkëshorti i saj.
Sot, në Kosovë mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas krizës disamujore politike për të formuar një qeveri të re, ku në garë marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë për deputetë.
Të drejtë vote kanë 2.076.290 prej të cilëve 1.999.204 votojnë sot brenda vendit dhe 77.086 patën mundësi ta ushtrojnë të drejtën e votës në periudhën 12-27 dhjetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
