BALLKANI

Osmani pret në takim përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

“Nuk do të lejojmë që integriteti territorial i Republikës sonë të bëhet pjesë e dialogut apo që rregullimi ynë kushtetues dhe sovraniteti i vendit të bëhet pjesë e këtij procesi”, tha Osmani pas takimit me Lajçakun

Agim Sulaj  | 02.03.2021 - Përdıtësım : 02.03.2021
Osmani pret në takim përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, pas takimit që zgjati rreth 40 minuta në Presidencë, presidentja Osmani tha se me Lajçakun biseduan rreth procesit të dialogut ku theksoi se sapo të konstituohen institucionet e reja në Kosovë, të gjitha informatat për këtë proces që sivjet mbush 10 vite, t’i drejtohen institucioneve të reja, në mënyrë që “të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani midis dy vendeve, të shikohet se sa janë zbatuar ato”.

Sipas Osmanit, Serbia nuk i ka zbatuar shumicën dërmuese të marrëveshje të nënshkruara deri më tani në këtë proces.

“Ne besojmë se duhet të hapet një kapitull i ri në këtë proces për shkak se duhet të sigurohemi në radhë të parë që të respektohet në plotni mandati që e marrim nga parlamenti që nënkupton respektimin e vijave të kuqe që vendosen nga Kuvendi i ri i Kosovës, të cilat siç edhe ka qenë në të kaluarën nuk lejojnë që të negociohet me kufijtë e Kosovës, pra nuk do të lejojmë që integriteti territorial i Republikës sonë të bëhet pjesë e dialogut apo që rregullimi ynë kushtetues dhe sovraniteti i vendit të bëhet pjesë e këtij procesi”, theksoi Osmani.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se BE-ja dhe SHBA-ja janë në një partneritet dhe se me ardhjen e administratës së presidentit Biden kjo marrëdhënie është më e afërt dhe me qëllimin e njëjtë “për të ardhme evropiane për Kosovën”.

Ai theksoi se BE është e gatshme të mbështesë prioritetet e reja të Qeverisë në ardhje me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti të cilat përfshijnë krijimin e vendeve të reja të punës, investimet e reja, luftimin e korrupsionit.

Lajçak i cili u takua mbrëmë edhe me Kurtin, tha se shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja presin vazhdimin e procesit të dialogut, “dialog ky i cili ndërmerr çështje të cilat janë të rëndësishme për secilin shtetas të Kosovës”.

“Përfundimi nga këto dy takime (me Kurtin dhe Osmanin) është se dialogu duhet të vazhdojë, duhet të krijohen procedura interne, por ka një mirëkuptim të qartë për vazhdimin e dialogut. Dhe, mesazhi im përfundimtar është për unitetin politik në Kosovë. Dialogu nuk është përgjegjësi e një ane politike apo e një partie politike apo vetëm e Qeverisë por është përgjegjësi e të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile”, theksoi Lajçak

Lajçak i cili ka arritur më 1 mars në Kosovë do të qëndrojë deri më 3 mars, ku do të takohet me përfaqësues institucionesh, krerë të partive dhe përfaqësues të BE-së në Kosovë. Takimi me Osmanin vjen pas takimit të mbrëmshëm me Kurtin, ndërsa sot gjatë ditës ai pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti.

Ardhja në Kosovë e Lajçakut është në kuadër të një vizite zyrtare të tij që do ta bëjë në Ballkanin Perëndimor. Pas Kosovës, ai do ta vazhdojë vizitën në Serbi nga 3 deri me 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri më 5 mars.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.