BALLKANI

Osmani: Personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës janë plagë të hapura

“Në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen të gjithë njerëzit tanë, vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për secilin prej tyre”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Agim Sulaj  | 27.04.2021 - Përdıtësım : 28.04.2021
Osmani: Personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës janë plagë të hapura Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë nderime te Memoriali për të Pagjeturit që ndodhet para ndërtesës së Kuvendit, në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, raporton Anadolu Agency (AA).

Bashkë me krerë të institucioneve të larta në nderim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të familjeve të personave të pagjetur në Qeveri si dhe familjarë të kësaj kategorie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës janë plagë të hapura, të cilat nuk mbyllen pa zbardhjen e drejtësisë.

Osmani ka thënë se në Kosovë liria do ketë kuptim kur të rikthehen të gjithë njerëzit dhe të ketë drejtësi.

“Sot e gjithë Republika e Kosovës, secili qytetar i saj, bashkëndiejnë me familjarët e mbi 1.600 të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë. Sot e ripërsërisim se fati i gjithë Kosovës është i lidhur drejtpërdrejt me fatin e mbi 1.600 familjarëve, më të dashurve tanë. Sot po ashtu përsërisim se në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen të gjithë njerëzit tanë, vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për secilin prej tyre”, theksoi Osmani, duke shtuar se do të bëjnë çmos për të siguruar drejtësi ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se do angazhohen që të jenë afër familjarëve të të zhdukurve, ndërsa ekzekutuesit dhe urdhërdhënësit e gjenocidit në Kosovë, e masakrave të panumërta, e të vrarëve të pafajshëm e civilë të paarmatosur, të sillen para drejtësisë, që të akuzohen, gjykohen e dënohen.

Kurti theksoi se të zhdukurit me dhunë duhet të duken në përgjegjësinë institucionale dhe në aktivitetin qytetar. Ai tha se Serbia është përpjekur disa herë të “varrosë të vërtetën e gjenocidit në Kosovë”, por ajo u rishfaq me kohë.

“Shqiptari i vrarë, i masakruar, i varrosur, i zhvarrosur, i transportuar, i varrosur në Serbi, i zhvarrosur sërish, është ajo e vërtetë e cila nuk rri nën ujë e as nën tokë. Prandaj, në raport me Serbinë e për hir të së ardhmes tonë dhe të historisë tonë, ne duhet të bëhemi bashkë dhe ta kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe secilën pozitë që mbajmë”, theksoi Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Serbia është përgjegjëse për vuajtjet që i ka shkaktuar në Kosovë gjatë luftës. Ai tha se në Serbi ka dhjetëra varreza masive të shqiptarëve, të cilat i dinë autoritetet shtetërore serbe, trupat e të cilëve janë gjetur edhe pasluftës.

“Të gjitha masakrat që i ka kryer Serbia janë padyshim akte të gjenocidit. Mirëpo, përveç që Serbia ka vrarë rreth 14 mijë qytetarë të Kosovës duke mos kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë, krimi tjetër i shumëfishtë që Serbia e ka bërë, është që shumë prej tyre i ka rrëmbyer dhe i ka zhdukur me dhunë”, theksoi Konjufca.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), janë vrarë mbi 13.500 persona, rreth 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë. Ndërsa mbetet ende i paqartë fati i mbi 1.600 personave të pagjetur që nga periudha e luftës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.