BALLKANI

Osmani për AA: Paralajmërimet që vijnë nga Brukseli i marr me rezervë

Në një intervistë për AA, zv/kryeministri Osmani shprehet se nuk e di më nëse mund t'u besojë paralajmërimeve që vijnë nga Brukseli, duke theksuar se të gjitha paralajmërimet i merr me rezervë

Abdula Berisha  | 08.11.2019 - Përdıtësım : 10.11.2019
Osmani për AA: Paralajmërimet që vijnë nga Brukseli i marr me rezervë ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Shkup

ABDULA BERISHA

Zv/kryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, e konsideron vendimin e muajit të kaluar të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut si zhgënjim dhe padrejtësi të pamerituar.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), zv/kryeministri Osmani shprehet se nuk e di më nëse mund t'u besojë paralajmërimeve që vijnë nga Brukseli, duke theksuar se të gjitha paralajmërimet i merr me rezervë.

Ai thotë se në botë ka pasur “një konsensus” në lidhje me atë se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet politike dhe teknike për fillim të bisedimeve, si dhe thekson se mosfillimi i bisedimeve me vendin e tij mund të ndikojë edhe në rajon.

"Natyrisht që ndikon për shkak se perspektiva evropiane është shumë e rëndësishme këtu në vend, si nxitës i lëvizjeve pozitive, si nxitës i motorit të reformave, por edhe si ngjitës i narrativave kundërthënëse që janë këtu, qofshin ato etnike, qofshin ato politike ose sociale. Gjithmonë BE ka qenë ajo që i ka subordinuar ato narrativa dhe natyrisht se do ketë pasojat e veta këtu, por mendoj se do ketë pasoja edhe në rajon, për shkak se jep një mesazh jo të mirë për forcat progresive pro-evropiane në vend. Jep mesazhin se a ia vlen kjo lëvizje progresive pro-evropiane dhe u jep mesazh nacionalistëve se është më e levërdishme politikisht ajo frymë se sa kjo tjetra", thotë Osmani, duke theksuar se qëllimet strategjike të vendit, megjithatë, janë shumë të qarta se nuk ka alternativë përveç BE-së dhe NATO-s.

Duke folur për takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së më 19 nëntor, Osmani thotë se nuk ka guxim të japë premtime dhe se të gjitha paralajmërimet i merr me rezervë.

"Tash unë nuk kam më guximin të jap premtime ose të jap data dhe një parashikim se çfarë do të ndodhë në ato këshilla, për shkak se nuk e di a mund t'u besoj më këtyre paralajmërimeve që vijnë nga Brukseli, se ne deri në orët e fundit para Këshillit, informacionet që i kemi marrë nga Brukseli kanë qenë 100 për qind të sigurta për fillim bisedimesh dhe tani të gjitha këto paralajmërime i marrim me rezervë dhe kjo është pjesa e dëmtimit të kredibilitetit që ka ndodhur në ndërkohë”, thotë Osmani.

Ai thekson se ka disa lëvizje ndërmjet disa vendeve anëtare që duan ta ri-iniciojnë debatin për fillimin e bisedimeve përsëri në Këshill, por siç thotë ai, ende nuk ka konfirmime se Franca do të jetë e gatshme për në nëntor ose dhjetor të rivlerësojë qëndrimin e saj.

Sipas tij, tani mbetet që Franca të propozojë metodologjinë e re dhe se pa u miratuar kjo metodologji nuk do të ketë një vendim.

Duke folur për takimin e paralajmëruar të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, Osmani thotë se këto takime janë të mira, por shprehet skeptik nëse do të ketë hapësirë për ndonjë bisedë më thelbësore duke rikujtuar se takimi pritet të ndodh në margjinat e një konferenceje të paqes.

“Nuk bëhet fjalë për zgjerim, por për kompletim të BE-së"

I pyetur se çfarë mund të ndodhë nëse në një të ardhme të afërt nuk caktohet datë për fillim të bisedimeve, Osmani shprehet se BE nuk mund të ekzistojë pa Ballkanin. Ai thekson se edhe termi "zgjerim" nuk është i përshtatshëm të përdoret në kontekst të shteteve ballkanike.

"Anëtarësimi i këtij rajoni në BE është kompletim i Bashkimit Evropian, nuk është zgjerim, dhe nuk ka logjikë që të ekzistojë një Union i cili në zemër të vet ka një vrimë e cila mund të jetë burim jostabiliteti, burim krizash, burim pasigurie, prandaj nuk shoh alternativë", tha Osmani, duke shtuar se nuk ka BE stabile dhe të zhvilluar pa Ballkanin si pjesë të saj.

Osmani foli edhe për zbatimin e deritanishëm të Marrëveshjes së Prespës, për të cilën tha se ka qenë faktori kyç për zhbllokimin e integrimeve, sidomos për çështjen e NATO-s.

"Ne nuk e përmendim aq sa duhet çështjen e NATO-s. Ne Marrëveshjen e Prespës e kemi nënshkruar para së gjithash për NATO-n, për shkak se ne e kemi ditur se BE është një proces i gjatë i anëtarësimit, por neve NATO-ja na është dashur tash për shkak të këtyre zhvillimeve rajonale, zhvillimeve gjeopolitike. Bota po bëhet çdo ditë e më e pasigurtë, çdo ditë më e paparashikuar dhe ne na duheshte NATO urgjentisht dhe sa më shpejtë", thotë Osmani.

Ai gjithashtu u shpreh se Maqedonia e Veriut ‘de fakto’ është anëtare e NATO-s dhe se pritet vetëm ratifikimi teknik i protokollit në disa vende anëtare. Osmani informoi se po bëhen përgatitje për të shkuar në samitin e 70-të të NATO-s, i cili mbahet në Londër më 4 dhjetor.

“Moscaktimi i datës ndikon edhe në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës”

Zv/kryeministri për çështje evropiane thotë se edhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është i lidhur për shkaqe objektive dhe subjektive me procesin euro-integrues.

"Përdorimi i brendshëm i emrit është i lidhur me hapjen e kapitujve. Mos hapja e kapitujve do të thotë që edhe për përdorim të brendshëm do të ngadalësohet pak dinamika. Por, përveç këtij korelacioni objektiv ka edhe një lidhje subjektive. Për implementim të një marrëveshjeje sensitive duhet disponim. Disponimi duhet të krijohet. Disponimi ishte këtu deri më 16 tetor. Mirëpo, tani ky disponim natyrisht se do të reflektohet edhe në këtë dinamikë”, shprehet Osmani.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut si shtet nuk duhet që emocionet të ndikojnë në dinamikën e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, për shkak se, siç thotë ai, kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për raportet bilaterale me Greqinë, për raportet rajonale, por edhe për perspektivën e vendit në përgjithësi.

Integrimi në NATO, më i rëndësishëm se sa mbajtja e zgjedhjeve më 12 prill

Lidhur me 12 prillin, datën e dakorduar për t'u mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Osmani thotë se më e rëndësishme është të përmbyllet procesi i integrimit të vendit në NATO.

"Ajo çfarë është konstante, është nevoja e të pasurit parlament funksional në ditën kur duhet të ratifikohet protokolli i NATO-s tek ne dhe ku mbyllet procesi. Prej asaj dite, duhet të numërohen afatet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve. Për momentin, parashikimet janë se deri në shkurt Spanja mund ta ratifikojë, për shkak se ata kanë zgjedhje tash në të 11-tin e këtij muaji", tha Osmani, duke shtuar se nëse këto afate respektohen, janë të gatshëm më 3 janar të fillohet me qeveri teknike dhe më 12 prill të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Osmani foli edhe për zbatimin e Ligjit të gjuhëve dhe dygjuhësisë nëpër institucione, si dhe për protestat e fundit kundër hapjes së paraleleve në gjuhën shqipe në disa vendbanime. Sa i takon ligjit të gjuhës, Osmani tha se me ligjin e ri të gjuhëve do të ketë inspektorat të veçantë i cili do t'i kontrollojë institucionet, duke shtuar se pret që shumë shpejtë të emërohet drejtori i inspektoratit.

"Sa i takon protestave, kjo vetëm e verifikon qëndrimin tim të cilin e them me kohë se çështjet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut janë në një stad shumë të mirë, të relaksuara, mirëpo jo edhe të qëndrueshme. Ata kërkojnë vëmendje të përditshme. Për shkak se brenda këtij stadit pozitiv gjendet një e panjohur dhe vetëm pritet momenti kur mund të imponohen narrativa të ndryshme dhe prandaj gjithmonë kam qenë kundër de-etnizimit të skenës politike në vend", tha Osmani.

Dialogu Kosovë-Serbi: Zgjidhja përfundimtare, pranimi i ndërsjellë ndërmjet dy shteteve

Duke theksuar rëndësinë e procesit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, Osmani thotë se Kosova, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, sa më shpejtë duhet të formojë qeverinë dhe institucionet e veta.

Sipas tij, dialogu është i rëndësishëm për shkak se kjo ‘status quo’ është paksa e paqëndrueshme, veçanërisht, siç thotë ai, në kushte kur Serbia ka një fushatë agresive të kërkimit të ç'njohjeve, që pastaj do të krijojë “reciprocitet dhe qark vicioz” në raportet ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Është mirë që SHBA ka caktuar dy përfaqësues special për rajonin dhe për Kosovën dhe një angazhim më të unifikuar të BE-së këtu, bashkë me SHBA dhe me një ndihmë nga vendet e rajonit, do të duhet të gjendet një zgjidhje përfundimtare që nënkupton pranimin e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, dhe integrimin e tyre në BE", thotë Osmani.

Osmani për “mini-Shengenin”: Nuk bëjmë projekte rajonale pa aprovimin e Washingtonit dhe Brukselit

Osmani foli edhe për takimin e krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet të dielën në Ohër, ku tha se janë ftuar presidenti i Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë.

Ai theksoi se takimi organizohet pa paragjykime dhe projekte politike, duke shtuar se "ne nuk bëjmë projekte rajonale pa aprovimin e Washingtonit dhe Brukselit".

"Ideja nuk është për t'u paragjykuar në aspekt të formimit të një zone politike të 'mini-Shengenit' e kështu me radhë, por është për të parë mundësitë për shfrytëzimin e mundësive për një bashkëpunim më të mirë rajonal", thotë Osmani, duke përmendur analizat e Bankës Botërore, sipas të cilave, kamionët kalojnë 80 për qind të kohës në pikat kufitare dhe duke bërë thirrje që të hiqen barrierat ekonomike dhe doganore.

"Raportet me Turqinë nuk janë të shfrytëzuara aq sa duhet"

Duke folur për marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, Osmani tha se Turqia është një prej tre shteteve me të cilat Maqedonia e Veriut ka nënshkruar partneritet strategjik, ndërsa dy vendet tjera janë SHBA dhe Greqia.

"Natyrisht që kemi dallime tani për vlerësimin e orientimeve politike, politikën e jashtme, raportin ndaj BE-së, ndaj SHBA-ve. Këto janë të natyrshme për shkak të pozicionimit tonë gjeostrategjik që e kemi, mirëpo raportet bilaterale me Turqinë, unë mendoj që janë bile edhe të pashfrytëzueshme aq sa duhet, për kapacitetin që kanë për bashkëpunim", tha Osmani.

Ai rikujtoi se ka pasur një iniciativë që të mbahet një konferencë e përbashkët me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, që grupet e punës të merrnin eksperiencë nga rrugëtimi i Turqisë për integrim në BE. Por, shtoi ai, kjo është pezulluar për një kohë për shkak të mos marrjes së datës për fillim të bisedimeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın