BALLKANI

Osmani: Obligimi ynë civilizues është të luftojmë kundër relativizimit të së keqes

“Obligimi ynë civilizues është që të luftojmë çdoherë dhe pa kompromis, duke e kthyer kujtimin në veprim, kundër relativizimit të së keqes, shtrembërimit të historisë, mohimit të fakteve dhe të vërtetës për Holokaustin"

Admir Fazlagikj  | 27.01.2021 - Përdıtësım : 28.01.2021
Osmani: Obligimi ynë civilizues është të luftojmë kundër relativizimit të së keqes Foto: Arhiv / AA

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u adresua me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit - 27 janar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Republika e Maqedonisë së Veriut, si një anëtare e përgjegjshme dhe e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare, rregullisht shënon këtë ditë. U shprehim nderime mbi 6 milionë viktimave të pafajshëm, fëmijë, gra dhe burra të këtij akti të tmerrshëm, në mesin e tyre edhe 7.144 hebrenj të Maqedonisë së Veriut të cilat jetët e tyre i humbën në llogoret e vdekjes në Treblinka. Dërgojmë porosi se e kujtojmë holokaustin ndërsa përkujtimi i viktimave është detyra dhe obligimi ynë i përhershëm”, tha Osmani në adresimin e tij.

Ai theksoi se “obligimi ynë civilizues është të luftojmë kundër relativizimit të së keqes”.

“Obligimi ynë civilizues është që të luftojmë çdoherë dhe pa kompromis, duke e kthyer kujtimin në veprim, kundër relativizimit të së keqes, shtrembërimit të historisë, mohimit të fakteve dhe të vërtetës për Holokaustin. Të themi zëshëm dhe qartë JO!- për antisemitizmin, racizmin, ksenofobinë dhe anët tjera të jotolerancës”, tha Osmani.

Duke folur për rëndësinë e holokaustit si një tragjedi që nuk guxon as të harrohet dhe as të jetë dita e vetme kur duhet të merremi me holokaustin, ministri Osmani theksoi:

“Të gjithë ne duhet në mënyrë të përbashkët dhe individuale të punojmë në drejtim të përhapjes së vlerave universale, përforcimin e kohezionit social, investimit në arsim dhe të rinjtë, në zhvillimin dhe ngritjen e vetëdijes për vlerën e ekzistimit dhe respektin e të gjitha dallimeve në një shoqëri pluraliste”.

Në mbledhjen komemorative e cila u mbajt online, fjalime të tyre kishin edhe kryetarja e Kuvendit të Bashkësisë Hebreje në Maqedoninë e Veriut, Radojka Helman – Denkovska, ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein, ambasadori jorezident i Izraelit, Dan Orijan si dhe Fahri Hiseni, koordinator i projektit rajonal në Shtëpinë e Ana Frankit nga Amsterdami, "Histori-mësime për të tashmen‘‘ nga Forumi Arsimor Rinor nga Shkupi.

27 janari është dita kur është çliruar kampi famëkeq Aushvic – Birkenau dhe me Rezolutë të Kombeve të Bashkuara nga 1 nëntori i vitit 2005, është shpallur si Ditë Ndërkombëtare e viktimave të Holokaustit, të cilin Maqedonia e Veriut, si anëtare me përgjegjësi dhe respekt në bashkësinë ndërkombëtare, tradicionalisht e shënon këtë ditë tashmë shumë vite.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın