Osmani në takim me kreun e Këshillit të BE-së, Costa: Mirëpresim heqjen e pjesshme të masave
"Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që sa më parë, ato të hiqen në tërësi", tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Antonio Costa, ku ka thënë se mirëpresin vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, transmeton Anadolu.
Zyra e Presidentes njoftoi se presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
"Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që sa më parë, ato të hiqen në tërësi", tha Osmani.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka potencuar në takim me kreun e Këshillit të BE-së, Costa se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, "prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura".
Tutje Osmani ka shtuar se shpreson që sa më parë, Kosova të marrë përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare dhe bazuar në merita të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
BE-ja i vendosi masa sanksionuese Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë Kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.
