Osmani: Në fund të majit u informova për veprimet me qëllim përshkallëzues të Serbisë në Kosovë
“Andaj, gënjeshtrat e Serbisë, se kinse ajo nuk ndërmerr hapa destabilizues, janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme”, tha Presidentja e Kosovës.

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë detaje të reja lidhur me parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të Serbisë në Kosovë, pas kthimit të saj nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Letonia, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media në Zyrën e Presidentes, Osmani tha se vlerësimi i saj është bërë mbi baza të informacioneve të vazhdueshme që Presidenca i merr nga institucionet e sigurisë.
“Më konkretisht, në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave, kam pasur takime me institucione të sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit”, theksoi Osmani.
Presidentja tha se këto informacione i ka ndarë edhe me aleatët e Kosovës të sigurisë për të kërkuar mbështetjen e tyre për ndaljen e përshkallëzimit të Serbisë në Kosovë.
“Andaj, gënjeshtrat e Serbisë, se kinse ajo nuk ndërmerr hapa destabilizues, janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. Siç e dini, deklarata të tilla kishin edhe pak para aktit të agresionit të shtatorit 2023, por edhe para çdo akti tjetër agresioni, përfshirë sulmin e infrastrukturës kritike që kanë bërë kundër Kosovës”, tha Osmani, duke nënvizuar se në këtë situatë nuk ka vend për panik.
Osmani, e cila e paralajmëroi këtë konferencë pasi Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, e kritikoi atë për, siç tha, “manipulimin e fjalëve” të presidentit amerikan, Donald Trump. Por, deklaratat e bëra në SHBA-ja, Osmani thotë se i bëri vetëm në bazë se si ajo i ka kuptuar fjalët e Trumpit dhe nuk i ka interpretuar ato.
Osmani më 10 korrik nga vizita e saj në SHBA konfirmoi qëndrimet e presidentit Trump, duke thënë se ai ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të Serbisë në Kosovë.
Për këtë çështje, Osmani tha se në fund të majit, edhe ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte folur publikisht për tendencat e përshkallëzimit serb në Kosovë, përfshirë vendosjen e trupave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.