Osmani në Bruksel: Anëtarësimi i Kosovës në BE mbi bazë merite është në interes të vetë bllokut
“Shpresojmë që me kalimin e kohës, çdo shtet anëtar ta kuptojë se anëtarësimi i Kosovës, mbi bazë merite dhe jo përmes rrugëve të shkurtra, është gjithashtu në interes të vetë Bashkimit Evropian”, tha Osmani
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova mbetet një partnere e përkushtuar dhe e palëkundur ndaj rrugës evropiane, duke theksuar se vendi ka 100 për qind harmonizim me politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Në fjalën e saj në prag të fillimit të samitit në Bruksel, Osmani tha se Kosova është ndër vendet që udhëheq në zbatim të reformave, përfshirë sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, por shtoi se këto arritje ende nuk janë reflektuar në hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE.
“Shpresojmë që me kalimin e kohës, çdo shtet anëtar ta kuptojë se anëtarësimi i Kosovës, mbi bazë merite dhe jo përmes rrugëve të shkurtra, është gjithashtu në interes të vetë Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh potencialin që ne i sjellim unionit, qoftë atë njerëzor apo atë ekonomik”, tha Osmani.
Presidentja kosovare e cilësoi si lajm të mirë heqjen e pjesshme të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.
Osmani theksoi se mbajtja e Kosovës nën masa ka qenë e padrejtë, ndërsa shprehu shpresën se së shpejti do të merret vendim për heqjen e plotë të tyre, paralelisht me avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Në fund, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të punojë me përkushtim drejt integrimit evropian, pavarësisht sfidave dhe kohëzgjatjes së procesit.
Udhëheqësit e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor sot takohen në Bruksel.
Takimi, i kryesuar nga presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, do të shërbejë si një mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënies strategjike BE-Ballkani Perëndimor dhe përfitimet që ajo u sjell qytetarëve.
Costa do të përfaqësojë BE-në në samit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas gjithashtu do të marrë pjesë.
Në fund të samitit, do të lëshohet deklarata e samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
