BALLKANI

Osmani: Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të respektojnë marrëveshjen e arritur

Osmani tha se edhe vet në marrëveshjen e arritur midis dy vendeve thuhet që çështjet historike duhet të zgjidhen përmes historianëve dhe shkencëtarëve, ndërsa në mënyrë paralele të vazhdohet me proceset e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE

Abdulbesar Ademi  | 17.09.2020 - Përdıtësım : 18.09.2020
Osmani: Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të respektojnë marrëveshjen e arritur Foto: Furkan Abdula / AA

Shkup

Lidhur me "memorandumin sqarues" që Sofja zyrtare u dërgoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe që konteston identitetin maqedonas dhe gjuhën e saj, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka deklaruar se dokument zyrtar rreth kësaj çështje nuk ka arritur në Shkup, por se këto çështje duhet të zgjidhen përmes historianëve dhe jo përmes politikanëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit në Shkup me homologun e tij nga Shqipëria, Gent Cakaj, kryediplomati Osmani foli për çështjen e të ashtuquajturit "memorandum sqarues" të Bullgarisë, duke theksuar se qëndrimi i tij është se qëllimi i Marrëveshjes Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, e arritur me Bullgarinë, është për të sjellë rend në "komunikimin kaotik të dekadave të fundit që kishin për sa i përket dallimeve midis dy shteteve".

Sipas tij, marrëveshja synonte të krijohen dy trajektore, të cilat, siç theksoi ai, deri më tani ishin të kryqëzuara dhe në mënyrë negative ndikonin tek të dy vendet.

Osmani shpjegoi se në njërën trajektore janë marrëdhëniet aktuale politike, ekonomike dhe të mbështetjes brenda proceseve euro-integruese, ndërsa në trajektorën tjetër janë dallimet në interpretimet e ngjarjeve historike që mbingarkojnë marrëdhëniet midis dy vendeve. 

"Para kësaj marrëveshje, këto dy trajektore ishin të kryqëzuara dhe në mënyrë negative ndikonin në dinamikën e ndërsjellë. Le të themi, nëse kishte ndonjë projekt për bashkëpunim politik apo ekonomik, një dallim në interpretimin e ngjarjeve historike do ta kontestonte atë dinamikë", u shpreh Osmani.

Osmani tha se edhe vet në marrëveshjen e arritur midis dy vendeve thuhet që çështjet historike duhet të zgjidhen përmes historianëve dhe shkencëtarëve, ndërsa në mënyrë paralele të vazhdohet me proceset e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

"Nuk do të hyj në debat thelbësor për sa i përket teksit, sepse ne nuk jemi pjesë e asaj korrespondence dhe tek ne nuk ka arritur zyrtarisht ai dokument, por mendoj se të dy palët e dakorduara duhet t'i respektojmë ato parime se këto trajektore me qëllim i kemi ndarë që të mund ta ruajmë dinamikën edhe në njërën, edhe në tjetrin vend", tha Osmani.

Osmani njoftoi se në komunikimet me homologët e tij nga blloku evropian i ka shprehur të njëjtat qëndrime, respektivisht që dy trajektoret që i përmendi të mbetet të ndara dhe të mos ndikojnë në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Kujtojmë se në vitin 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim. Sipas marrëveshjes, është formuar një Komision i përbashkët i ekspertëve për t'u pajtuar mbi faktet dhe dokumentet historiografike në lidhje me ngjarjet dhe personalitet e përbashkëta historike, përfshirë edhe për revolucionarin Goce Dellçev.

Kushte të reja nga Bullgaria për negociatat me BE-në 

Dje, në prag të fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me bllokun evropian, Bullgaria u dërgoi "memorandum sqarues" vendeve anëtare të BE-së, të përbërë prej gjashtë faqesh me arsyetime të gjata historike për "ideologji shtetërore anti-bullgare" në Maqedoninë e Veriut. Sofja kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e saj lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Memorandumi thekson se vendet kandidate nuk duhet të vendosin konteste të hapura në BE dhe konsideron se mospajtimet me Shkupin paraqesin konflikt të pazgjidhur që ka gjasë gjatë anëtarësimit të Shkupit në mënyrë negative të ndikojë ndaj sjelljes së vendimeve në BE.

Autoritetet bullgare kërkojnë nga Maqedonia e Veriut të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet të sinqert politik dhe guxim, si dhe siç thuhet në memorandum "të ndalojë me trashëgiminë ideologjike nga Jugosllavia komuniste".

Sa i përket gjuhës maqedonase, Bullgaria në memorandumin e ndarë me vendet anëtare të BE-së thekson se "gjuha maqedonase apo etniteti nuk ka ekzistuar deri më 2 gusht të vitit 1944" dhe se ato janë krijuar për ndërprerjen e lidhjeve midis popujve në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja konsideron se gjuha maqedonase është "dialekt rajonal i gjuhës bullgare".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.