BALLKANI

Osmani: Inteligjenca artificiale dhe rrjetet sociale krijuan terren të përshtatshëm për dezinformimin

Sipas raportit, teknika e dehumanizimit të kundërshtarëve politikë gjatë fushatës zgjedhore ka qenë një nga problemet më të mëdha në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

Agim Sulaj  | 02.04.2025 - Përdıtësım : 03.04.2025
Osmani: Inteligjenca artificiale dhe rrjetet sociale krijuan terren të përshtatshëm për dezinformimin Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se inteligjenca artificiale, algoritmet e rrjeteve sociale si dhe platformat e komunikimit të shpejtë kanë krijuar terren të përshtatshëm të dezinformimit "sidomos nga forcat dashakeqe që vijnë nga jashtë shtetit tonë, duke bërë edhe më të lehtë manipulimin e opinionit publik", raporton Anadolu.

Osmani duke folur në publikimin e një raporti rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, tha se kur sulmohet e vërteta-sulmohet liria, vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar Kosova.

Sipas saj, në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme, kontrollimi i fakteve nuk është më vetëm një detyrë e gazetarëve, por, shndërrohet në një obligim të gjithë shoqërisë, respektivisht në një nevojë jetike për shtetin e Kosovës.

"Kur dezinformatat lidhen drejtpërdrejtë me shtetin dhe me shtyllat kryesore të shtetit, ato nuk janë më vetëm sulme ndaj individëve të caktuar, por, ndaj vet shtetit dhe shtyllave mbi të cilat qëndron ai shtet dhe ndaj vet sigurisë së tij. Luftës së tillë hibride i ndihmon jashtëzakonisht shumë edhe gjuha e urrejtjes e cila lidhet ngushtë me mosverifikimin e fakteve duke qenë se shpesh buron nga dezinformata dhe manipulimi i qëllimshëm i realitetit”, theksoi Osmani.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav tha se në çdo proces zgjedhor është kritike çështja e integritetit të informacionit dhe qasja e votuesve në informacione të sakta, të besueshme dhe autentike.

Ai tha se luftimi i dezinformimit nuk mund të bëhet vetëm nëpërmjet një institucioni, por duhet bashkëpunim më i gjerë nga politikbërësit, gazetarët, shoqëria civile.

"Kur informacioni është një armë, të gjithë janë në një luftë. Çdo individ mund të bëhet target i manipulimit me informacione", theksoi Orav.

Raporti i publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova dhe mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, bëri të ditur se teknika e dehumanizimit të kundërshtarëve politikë gjatë fushatës zgjedhore ka qenë një nga problemet më të mëdha në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Gjithashtu, raporti vuri në dukje edhe mungesën e një përballje të kandidatëve për kryeministër gjatë fushatës, e cila, sipas raportit tregon për brishtësinë "e nivelit demokratik të vendit".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.