Osmani dhe Begaj urojnë kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu
Osmani uroi që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kanë uruar emërimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani në mesazhin e saj tha se beson fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Kosovës.
“Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike”, tha Osmani.
Ajo uroi që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës.
Presidenti Begaj, nga ana e tij, tha se Legjislatura e Dhjetë e Kuvendit nisi me punime të mbara me emërimin e kryeparlamentares.
“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit euroatlantik”, tha Begaj.
Më herët, Haxhiu u zgjodh kryetare e re e Kuvendit ndërsa pas saj u emëruan edhe pesë nënkryetarë të Kuvendit.
Gjatë orëve të mbrëmjes pritet po ashtu të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
