BALLKANI

OSBE-ODIHR: Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan në përgjithësi në mënyrë efektive

Sipas vlerësimit paraprak të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme, përkundër sfidave teknike në kumtimin e rezultateve dhe vërejtjeve në lidhje me regjistrimin e votuesve

Admir Fazlagikj  | 16.07.2020 - Përdıtësım : 16.07.2020
OSBE-ODIHR: Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan në përgjithësi në mënyrë efektive

Shkup

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan në mënyrë efektive pavarësisht rregullimeve si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19, por stabiliteti ligjor u pengua nga rishikimet thelbësore të Kodit Zgjedhor dhe rregullimi i mëpasshëm ad hoc i miratuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, thuhet në vlerësimin paraprak të zgjedhjeve të ekipit ndërkombëtar vëzghues të OSBE/ODIHR-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefja e misionit special të vlerësimit të zgjedhjeve të ODIHR-it, Laima Andrikiene, mbajti sot një konferencë për shtyp në Shkup, ku foli për vlerësimin paraprak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të mbajtura më 15 korrik.

"Si përmbledhje, zgjedhjet u zhvilluan në përgjithësi në mënyrë efektive, pavarësisht rregullimeve në përgjigje të pandemisë COVID-19, por stabiliteti ligjor u dëmtua nga rishikimet thelbësore të Kodit Zgjedhor dhe rregullimi pasues ad hoc i miratuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Fushata, megjithëse ishte me ton negativ, ishte me të vërtetë konkurruese dhe pjesëmarrësit ishin në gjendje t'i përçonin mesazhet e tyre përkundër kufizimeve të komunikimit normal", tha Andrikiene.

Sipas vlerësimit paraprak të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme, përkundër sfidave teknike në kumtimin e rezultateve dhe vërejtjeve në lidhje me regjistrimin e votuesve.

Andrikiene shtoi se zgjedhjet u zhvilluan sipas një kornize ligjore që u ndryshua thelbësisht para shpalljes së tyre, në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare.

E pyetur të komentojë rrëzimin e djeshëm të sistemit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Andrikiene tha se kjo është një çështje shumë e rëndësishme, se po ndjekin ngjarjet dhe se janë të vetëdijshëm për vështirësitë teknike dhe do të vazhdojnë të monitorojnë situatën.

Siç njoftoi Andrkienne, misioni vëzghgues i OSBE/ODIHR-it do të mbetet për të monitoruar zhvillimet pas ditës së zgjedhjeve në lidhje me ankesat dhe parashtresat nga partitë politike dhe do të mbetet në vend nën mandatin që skadon më 23 korrik.

Ndryshe, KSHZ njoftoi dje se 93,96 për qind e të dhënave janë përpunuar në qendrat e votimit në gjithë Maqedoninë e Veriut dhe sipas këtyre të dhënave, koalicioni "Mundemi" i udhëhequr nga Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) ka marrë 36,13 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe të tjerëve ka siguruar 34,65 për qind, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 11,57 përqind, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 8,79 për qind, E Majta 3,96 për qind, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 1,48 për qind, Integra 1,33 për qind dhe partitë dhe koalicionet e tjera kanë siguruar nën 0,4 për qind të votave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.