OSBE-ODIHR thekson nevojën për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në Maqedoninë e Veriut
"Zgjedhjet lokale të 17 tetorit ishin konkurruese dhe liritë themelore u respektuan gjerësisht, por mangësitë e shumta në kuadrin ligjor nënvizojnë nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse", tha Shefja e misionit, Tana de Zulueta

Shkup
Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it në një konferencë për media ka shpalosur përfundimet paraprake për zgjedhjet lokale të mbajtura dje në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shefja e misionit, Tana de Zulueta, informoi OSBE-ODIHR filloi aktivitetet nga 7 shtatori. Ajo tha se në kuadër të misionit janë aktivizuar 19 ekspertë në kryeqytet dhe 20 vëzhgues afatgjatë në gjithë vendin, ndërsa në ditën e votimit, 165 vëzhgues nga 29 shtete vëzhguan në mënyrë sistematike votimin në 625 vendvotime në gjithë vendin.
"Zgjedhjet lokale të 17 tetorit ishin konkurruese dhe liritë themelore u respektuan gjerësisht, por mangësitë e shumta në kuadrin ligjor nënvizojnë nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse. Partitë kryesore parlamentare gëzojnë përparësi sistemike, veçanërisht në shpërndarjen e resurseve publike për fushatë, përfshirë në media", tha de Zulueta.
Ajo gjithashtu tha se kandidatët kishin mundësi që lirshëm të bënin fushatë, por retorika negative që shpesh shënjestron gratë shpërqendroi nga debatet thelbësore.
"Administrata zgjedhore respektoi shumicën e afateve ligjore, por aftësia për të përmbushur mandatin e saj u vështirësua nga personeli i kufizuar dhe kapaciteti operacional. Zbatimi i vonshëm i identifikimit biometrik të votuesve krijoi sfida shtesë në administrimin e zgjedhjeve", tha de Zulueta.
Ajo gjithashtu përmendi raste të votimit grupor apo familjar, si dhe gabimeve procedurale gjatë numërimit të votave.
"Procedurat e votimit u respektuan në përgjithësi, ashtu si masat mbrojtëse kundër COVID-19. Sidoqoftë, vëzhguesit e ODIHR-it vërejtën probleme me fshehtësinë e votuesve dhe votimin e gjerë në grup, i cili ndikon negativisht në pjesëmarrjen e grave", tha de Zulueta.
Lidhur me numërimin e votave dhe paraqitjen e tyre në tabelat përkatëse, shefja e misionit të OSBE-ODIHR-it tha se kishte probleme me përpilimin e protokolleve të rezultateve.
"U vërejtën disa raste të ndërhyrjes së panevojshme në numërim, të gjitha nga përfaqësuesit e kandidatëve. Procesi i tabelëzimit u vlerësua negativisht në shumë raporte të paraqitura nga vëzhguesit e ODIHR-it, kryesisht për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe organizimit të dobët", tha de Zulueta, duke shtuar se kjo nuk ka ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Gjithashtu, ajo tha se janë vërejtur disa raste të izoluara të frikësimit të kandidatëve dhe presion ndaj kandidatëve për t'u tërhequr, si dhe disa pretendime të besueshme për presion ndaj votuesve dhe blerjen e votës.
"Përderisa disa hetime të rasteve individuale filluan para ditës së zgjedhjeve, veprime të kufizuara u ndërmorën në përgjigje të pretendimeve të tilla", tha ajo.
Në Maqedoninë e Veriut dje u realizua raundi i parë i zgjedhjeve lokale në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në më shumë se gjysmën e komunave do të zhvillohet edhe raundi i dytë, i cili është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.