BALLKANI

OSBE-ja trajnon punonjësit e burgjeve në Shqipëri për regjimin e posaçëm

Pesëdhjetë punonjës të burgjeve në Shqipëri do të trajnohen nga datat 30 nëntor deri më 3 dhjetor për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në regjimin e posaçëm në përputhje me të drejtat e njeriut

Fatjon Cuka  | 30.11.2021 - Përdıtësım : 01.12.2021
OSBE-ja trajnon punonjësit e burgjeve në Shqipëri për regjimin e posaçëm ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në Shqipëri është prezantuar programi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri mbi trajnimin e punonjësve të burgjeve për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në regjimin e posaçëm në përputhje me të drejtat e njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e fillimit të trajnimit disa ditor ishin të pranishëm përfaqësues të disa institucioneve të Shqipërisë, të Misionit të OSBE-së në Shqipëri dhe të organizatave që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, tha se ndjeshmëria për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut është akoma më e lartë kur bëhet fjalë për regjimin e posaçëm në burgje.

"Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale duhet të jenë vende për rehabilitimin dhe riaftësimin shoqëror të të dënuarve dhe personave të paraburgosur, por nuk mund të jenë qendra ku komandohet veprimtaria kriminale që kryhet jashtë institucionit. Nëpërmjet regjimit të posaçëm ne arrijmë të realizojmë parandalimin e aktiviteteve të mëtejshme të paligjshme duke shmangur kontaktet mes eksponentëve tepër të rrezikshëm të burgosur dhe ushtarëve të lirë të krimit të organizuar ose anëtarëve të familjes së tyre", tha ai.

Manja theksoi se duke qenë se ky regjim specifik sjellë masa shtrënguese akoma më të mëdha se vetë privimi i lirë që ata kanë marrë nga drejtësia, sipas tij, një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe do të vijojë t’i kushtohet asistencës së tyre psiko-sociale.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, theksoi se siguria dhe përgjegjësitë e shtetit janë të rëndësishme për sa u përket personave që janë të dënuar. Del Monaco theksoi ndër të tjera, se trajnimi nuk merret vetëm pjesën teorike dhe sipas tij mundëson mbështetje mbi nevojat qartësisht të identifikuara për këtë çështje.

Pesëdhjetë punonjës të burgjeve në Shqipëri do të trajnohen nga datat 30 nëntor deri më 3 dhjetor për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në regjimin e posaçëm në përputhje me të drejtat e njeriut. Trajnimi organizohet nga Misioni i OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë dhe Avokatin e Popullit të Shqipërisë.

Në Shqipëri aplikohet edhe një regjim i posaçëm për disa të dënuar, sipas autoriteteve, me qëllim për të parandaluar kontaktet me organizatat kriminale dhe për të parandaluar ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.