Organizata "Avrupa Yetim Eli" zhvillon programin e synetit të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut
- Ataş, një përfaqësues i organizatës, njoftoi se ata do të bëjnë synet rreth 250 fëmijë në Maqedoninë e Veriut dhe se synojnë të mbështesin fëmijët, familjet e të cilëve po përballen me vështirësi financiare me këtë organizim

Strumicë
STRUMICË (AA) - Në Strumicë të Maqedonisë së Veriut organizata ndërkombëtare e ndihmës "Avrupa Yetim Eli" ka zhvilluar programin e synetit të fëmijëve, raporton Anadolu.
Në programin e organizuar në fshatin Bansko të Strumicës, në bashkëpunim me shoqatën "İyiliğe Koşanlar" nga Maqedonia e Veriut, morën pjesë fëmijët për t'u bërë synet dhe familjet e tyre.
Vedat Ataş, një përfaqësues i Shoqatës "Avrupa Yetim Eli", në deklaratën për Anadolu njoftoi se ata do të bëjnë synet rreth 250 fëmijë në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se synojnë të mbështesin fëmijët, familjet e të cilëve po përballen me vështirësi financiare me këtë organizim.
"Aktualisht, e organizojmë vetëm në Komunën e Strumicës në Maqedoninë e Veriut. Sigurisht, ky nuk është vendi i vetëm. Ky program është bërë traditë, po e organizojmë për herë të pestë këtë vit", tha ai.
Ataş theksoi se do të përpiqen t'u ofrojnë ndihmë njerëzve nëse marrin kërkesa nga qytete të tjera në Maqedoninë e Veriut.
"Mjekët tanë vijnë nga Turqia. Ky është problemi më i madh këtu. Normalisht, familjet muslimane këtu duan që fëmijët e tyre të bëhen synet nga mjekë muslimanë. Fatkeqësisht, për shkak se nuk kishte mjekë muslimanë në Komunën e Strumicës, Shoqata 'İyiliğe Koşanlar' i bëri një kërkesë të tillë organizatës 'Avrupa Yetim Eli' në vitin 2020. Kjo është arsyeja pse i sollëm mjekët tanë këtu nga Turqia", theksoi Ataş.
Si pjesë e këtij organizimi, do të mbahet një ceremoni syneti për 35 fëmijë në Bansko dhe 65 në qendër të qytetit të Strumicës, ndërsa fëmijët e mbetur do të bëhen synet në vendbanime të tjera në rajon.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.