BALLKANI

Oda Ekonomike Maqedoni-Turqi organizon program iftari në Shkup

"Turqia dhe Maqedonia e Veriut kanë lidhje shumë të ngushta që e marrin forcën nga historia jonë e përbashkët...", tha ambasadori Ulusoy në fjalën e tij

Dzihat Aliju  | 11.03.2026 - Përdıtësım : 11.03.2026
Oda Ekonomike Maqedoni-Turqi organizon program iftari në Shkup Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Oda Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO) ka organizuar një program iftari në kryeqytetin Shkup, raporton Anadolu.

Në programin e iftarit të organizuar në një hotel në Shkup morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, zv/kryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zv/kryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu, ministra dhe deputetë nga Maqedonia e Veriut, kryetarë komunash, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendase në vend, si dhe shumë të ftuar.

"Turqia dhe Maqedonia e Veriut kanë lidhje shumë të ngushta që e marrin forcën nga historia jonë e përbashkët. Me Maqedoninë e Veriut kemi një partneritet strategjik të bazuar në bashkëpunim të ndërsjellë dhe aleancë në kuadër të anëtarësimit në NATO. Përtej këtij përkufizimi zyrtar, Maqedonia e Veriut është për Turqinë një vend mik dhe vëlla", tha ambasadori Ulusoy në fjalimin e tij.

- "Komuniteti turk përpiqet për zhvillimin dhe mirëqenien e Maqedonisë së Veriut"

Ulusoy falënderoi ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe të gjithë qeverinë për mesazhin e solidaritetit që dërguan ndaj Turqisë, pasi një raketë balistike e lëshuar nga Irani dhe e identifikuar se po drejtohej drejt hapësirës ajrore të Turqisë u neutralizua nga elementet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s.

Ambasadori turk theksoi se turqit që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përbëjnë "urën më të rëndësishme" midis dy vendeve.

"Komuniteti turk, i cili është një nga elementet përbërëse të Maqedonisë së Veriut dhe pjesë e mozaikut të saj të veçantë, në këtë vend gjithmonë përpiqet për zhvillimin dhe mirëqenien e Maqedonisë së Veriut në harmoni me bashkësitë e tjera etnike dhe i shton pasuri këtyre tokave", tha ai.

- Synohet rritja e vëllimit tregtar mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut në 2 miliardë dollarë

Më tej, Ulusoy tha se synojnë që në afat të shkurtër ta rrisin në 2 miliardë dollarë vëllimin tregtar mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili aktualisht është afër 1 miliard dollarë.

Duke theksuar se investimet nga Turqia në Maqedoninë e Veriut kanë arritur rreth 2 miliardë dollarë, Ulusoy theksoi se kompanitë turke operojnë në shumë sektorë si në sektorin bankar, të arsimit, kulturës, shëndetësisë, industrisë së mbrojtjes, prodhimit industrial, energjisë së rinovueshme, turizmit dhe ndërtimtarisë.

Ulusoy tha se beson që zyra e kompanisë së industrisë së mbrojtjes ASELSAN në Shkup do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së lartë ushtarake dhe civile jo vetëm me Maqedoninë e Veriut, por edhe me të gjitha vendet e Ballkanit.

Duke theksuar se firmat turke në Maqedoninë e Veriut sigurojnë punësim për rreth 10 mijë persona, Ulusoy tha: "Falënderoj MATTO-n, e cila çdo ditë e më shumë forcon lidhjet midis dy vendeve vëllazërore, për organizimin e këtij iftari".

Kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski, nga ana e tij, falënderoi pjesëmarrësit në programin e iftarit, duke u shprehur: "Shpresoj që kjo mbrëmje iftari të na ndihmojë të forcojmë vëllazërinë, miqësinë dhe bashkëpunimin tonë. Prandaj, ju uroj komunikim të mirë, të kaloni bukur këtë mbrëmje dhe të jeni në unitet".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.