BALLKANI

Në Shqipëri mbahet protestë antiqeveritare, shënohen tensione

Mijëra mbështetës të opozitës nga qytete të ndryshme të vendit kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, ndërkohë është shoqëruar edhe me incidente dhe tensione

Fatjon Cuka  | 22.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
Në Shqipëri mbahet protestë antiqeveritare, shënohen tensione Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri opozita vazhdon protestat antiqeveritare, ndërkohë sot është mbajtur një protestë kombëtare, e thirrur nga partia më e madhe e opozitës (PD), Partia Demokratike, e cila është shoqëruar edhe me incidente dhe tensione, raporton Anadolu.

Mijëra mbështetës të opozitës nga qytete të ndryshme të vendit kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Sipas organizatorëve, protesta është mbajtur me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe sipas PD-së për denoncimin e rasteve të korrupsionit.

Kujtojmë se Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj saj.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë u shpreh se opozita disa detyra të mëdha që kishte para qytetarëve i ka bërë.

"PD qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë. Duhet të keni besim se siç e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë", u shpreh Berisha.

Berisha tha ndër të tjera se fton të gjitha forcat politike opozitare dhe çdo opozitar, "të bashkohet në këtë betejë".

Pas fjalës së Berishës u shënuan tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forca të policisë, pasi në drejtim të selisë së Kryeministrisë janë hedhur koktej molotovi.

Për disa momente u shkaktua edhe zjarr në ambientet e jashtme të selisë së qeverisë, ndërkohë disa persona kanë mbetur të lënduar.

PD-ja dhe parti të tjera opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në javët në vazhdim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.