BALLKANI

Në Shqipëri 10 vatra zjarri ende aktive, vazhdojnë operacionet për shuarjen e tyre

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se operacionet në terren vijojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve, në disa bashki të vendit

Fatjon Cuka  | 25.07.2025 - Përdıtësım : 25.07.2025
Në Shqipëri 10 vatra zjarri ende aktive, vazhdojnë operacionet për shuarjen e tyre Burimi: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë

Tiranë

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 29 vatra zjarri, ndërkohë 10 vatra janë ende aktive në disa bashki, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se operacionet në terren vijojnë për izolimin dhe kontrollin e flakëve, në disa bashki të vendit.

Ndërkohë, raportohet se disa banesa dhe një kishë janë dëmtuar nga zjarret në Bashkinë Delvinë, si dhe janë dëmtuar edhe pemë frutore në disa zona të vendit.

Në javët e fundit në Shqipëri kanë vazhduar zjarret në disa zona, ndërkohë në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.

Gjithashtu, në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri në ditët e fundit u angazhuan edhe avionë nga Italia, Greqia, Kroacia dhe Hungaria, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Nga ana tjetër, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një person si autori i dyshuar për zjarrvënie në fshatin Kakavijë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet përsëri nivel "i lartë" rreziku në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas institutit, temperaturat sot dhe nesër pritet të regjistrohen nga 42-43 gradë celsius.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın