Në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, Kurti pret ish-ambasadorin Walker
Kryeministri në detyrë bashkë me ish-ambasadorin Walker biseduan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për përgatitjet për ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila do të mbahet nesër në Komunën e Shtimes
Prishtinë
Në prag të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë periudhës së luftës në Kosovë, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti në takim u shpreh se është gjithmonë i lumtur ta mirëpresë dhe ta takojë ambasadorin Walker, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për rolin historik që ai ka pasur për popullin e Kosovës në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, për miqësinë e çmuar që vazhdon dhe për angazhimin e tij të pareshtur në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë.
Kryeministri në detyrë bashkë me ish-ambasadorin Walker biseduan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për përgatitjet për ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila do të mbahet nesër në Komunën e Shtimes, ku të dy do të marrin pjesë.
Ambasadori Walker i cili në Kryeministri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe bashkëpunëtorët, falënderoi për takimin dhe bisedën, dhe e uroi kryeministrin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Gjithsej 45 civilë shqiptarë u vranë dhe masakruan më 15 janar 1999 në Reçak. Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.
Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur "Gropa e Bebushit", aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: "Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time".
Kjo u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës, pasi bashkësia ndërkombëtare, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars 1999 filloi fushatën 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
