BALLKANI

Në Ohër u mbajt konferenca e ministrave të kulturës të Evropës Juglindore

Në takim morën pjesë ministra, zëvendësministra dhe delegacione nga Shqipëria, Turqia, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia, Moldavia, Bullgaria, Greqia, Rumania si edhe ekspertë të shumtë të fushës

Shpetim Hiseni  | 12.12.2025 - Përdıtësım : 12.12.2025
Në Ohër u mbajt konferenca e ministrave të kulturës të Evropës Juglindore Burimi: Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së

Shkup

Në Ohër u mbajt konferenca dyditore e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore (CoMoCoSEE) me temë "Forcimi i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm", e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Maqedonisë së Veriut, e cila kryeson me këtë mekanizëm rajonal, transmeton Anadolu.

Në takim morën pjesë ministra, zëvendësministra dhe delegacione nga Shqipëria, Turqia, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia, Moldavia, Bullgaria, Greqia, Rumania si edhe ekspertë të shumtë të fushës.

Konferenca u fokusua në forcimin e bashkëpunimit kulturor rajonal, mbrojtjen e trashëgimisë dhe rolin e kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm. Pjesëmarrësit miratuan me aklamacion "Deklaratën e Ohrit 2025", dokument që, sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, riafirmon angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Lutkov, në fjalën e tij hapëse vuri në dukje rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, digjitalizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale, duke theksuar nevojën për mekanizma më efikasë dhe bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal.

"Nisma e përbashkët për të krijuar një Fond Rajonal për Bashkëpunim Kulturor mund të jetë një hap i rëndësishëm institucional që ka potencialin të sigurojë stabilitet, parashikueshmëri dhe profesionalizim të aktiviteteve rajonale", theksoi ai.

Ndërkaq, Magdalena Landry, drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNESCO-s në Venecia, tha se rajoni i Evropës Juglindore përfaqëson një diversitet të jashtëzakonshëm kulturor dhe se UNESCO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Nga viti 2026, me Këshillin e Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore do të kryesojë Republika e Moldavisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın