Në ditët e fundit u raportuan 633 zjarre në territorin e Kosovës
- Policia e Kosovës bëri të ditur se deri më tani janë arrestuar 23 persona dhe janë trajtuar 193 raste në Polici, të cilat lidhen me zjarrvënie.

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Agjencia për Menaxhim Emergjent (AME) ka bërë të ditur se vetëm në ditët e fundit janë raportuar gjithsej 633 zjarre në gjithë territorin e Kosovës ndërsa aktualisht janë nëntë vatra aktive të zjarrit, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media, të kësaj agjencie bashkë me Policinë e Kosovës, drejtori i AME-së, Genc Metaj tha se shumica e zjarreve janë lokalizuar falë angazhimit të institucioneve, përfshirë edhe me ndihmën e KFOR-it në disa lokacione.
"Kemi pasur edhe intervenim të KFOR-it në fshatrat Kçiq i Vogël të Mitrovicës dhe Meshinë të Kamenicës për të reduktuar masën e zjarrit. Momentalisht i kemi nëntë vatra aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht", theksoi Metaj.
Ai tha se gjendja aktuale në vend është stabile por e brishtë për shkak të temperaturave, thatësirave dhe zjarrvënieve të qëllimshme. Metaj tha se çdo neglizhencë do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasojnë dënime ligjore, derisa u bëri apel qytetarëve të angazhohen për të marrë veprime parandaluese ndaj zjarreve.
Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës tha se deri më tani janë arrestuar 23 persona dhe janë trajtuar 193 raste në Polici, të cilat lidhen me zjarrvënie. "Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes sidomos tek vendet ku ata dalin në natyrë nga pakujdesia e vogël, mos të vijmë deri tek ndonjë zjarr i cili mund të shkaktojë pasoja të mëdha dhe secili të kontribuojë në siguri", theksoi Rexhepi.
Në konferencë u bë e ditur se këtë vit me zjarre po përballen edhe vende evropiane, si Spanja, Franca, Portugalia, Italia e të tjerë, ku ka humbje jetësh dhe evakuime masive, por, Kosova deri më tani ka arritur ta mbajë gjendjen stabile.
Krahasuar me muajin gusht të vitit 2024, këtë vit janë shënuar rritje të numrit të rasteve të zjarrit, sipas AME-së.