BALLKANI

Numërohen mbi 90 për qind e kutive të votave në Kosovë, kryeson Lëvizja Vetëvendosje me 50,13 për qind të votave

Pas Lëvizjes Vetëvendosje, në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20,94 për qind apo 167.408 vota

Agim Sulaj  | 28.12.2025 - Përdıtësım : 29.12.2025
Numërohen mbi 90 për qind e kutive të votave në Kosovë, kryeson Lëvizja Vetëvendosje me 50,13 për qind të votave

Prishtinë

Nga numërimi i më shumë 90 për qind të kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, po prinë Lëvizja Vetëvendosje, raporton Anadolu.

Në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili filloi me numërimin e votave menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, Lëvizja Vetëvendosje nga numërimi i deritanishëm i kutive të votimit ka marrë 50,13 për qind apo 400.793 vota.

Pas Lëvizjes Vetëvendosje, në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20,94 për qind apo 167.408 vota.

Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila deri më tani ka marrë 13,93 për qind apo 111.338 vota, ndërsa pasohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila deri më tani ka marrë 5,88 për qind apo 47.021 vota.

Partitë e tjera të cilat deri në fund të numërimit zyrtar të votave nuk arrijnë 5 për qind të votave, nuk do të mund ta kalojnë pragun dhe të futen në Kuvendin e Kosovës.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin ta mbajë rezultatin me 50 për qind apo më shumë të votave deri në certifikimin e rezultateve, ajo mund ta bëjë qeverinë e vetme, pa pasur nevojë për një koalicion paszgjedhor me ndonjë parti tjetër parlamentare.

Gjithashtu pas mbylljes së numërimit të rezultateve preliminare, duhet të pritet edhe numërimi i votave me kusht, votave të personave me aftësi të kufizuara, si dhe mijëra votave nga diaspora, nga ku janë regjistruar rreth 70 mijë qytetarë për të votuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.