BALLKANI

"Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të pagjeturve"

"Është e pamundshme sipas intervistuesve të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë pa zgjidhur rastin e personave të pagjetur", tha hulumtuesi nga Instituti RIDEA, Shpend Voca

Agim Sulaj  | 24.09.2019 - Përdıtësım : 25.09.2019
"Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të pagjeturve" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka prezantuar studimin “Çështja e personave të pagjetur në kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prezantim të këtij studimi u shpalosën arsyet dhe argumentet që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë në axhendë çështjen e personave të pagjetur gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998-1999 dhe pasojat e tij.

Hulumtuesi nga Instituti RIDEA, Shpend Voca tha se Kosova dhe Serbia janë të detyruar të bashkëpunojnë për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, kjo pasi një gjë e tillë është e shkruar edhe në Konventën dhe Deklaratën e Gjenevës, që parashikon shkëmbimin e informacioneve midis palëve për personat e pagjetur.

“Është e pamundshme sipas intervistuesve të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë pa zgjidhur rastin e personave të pagjetur dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe procesi i pajtimit nuk mund të ndodhë pa zgjidhur përfundimisht temën e të pagjeturve”, tha Voca duke folur për bindjet e qytetarëve kosovarë dhe serbë pas intervistave me disa prej tyre.

Hulumtuesja nga RIDEA, Albulena Jahja tha se pas pavarësisë së Kosovës deri në vitin 2011 ka pasur rritje të të kthyerve në Kosovë, ndërsa pas vitit 2011 ka pasur rënie të të kthyerve.

“Numri i të kthyerve është rritur menjëherë pas pavarësisë së Kosovës. Ndërsa pas vitit 2011 ka pasur vetëm rënie të të kthyerve. Shifrat tregojnë se nga ky raport dhe nga raportet UNHCR-së, që në vitin 2018 ka qenë numri më i ulët i kthimeve. Vetëm me 327 persona të kthyer”, tha Jahja.

Disa nga rekomandimet që duhen përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, që ka nxjerrë ky raport janë: Qeveria e Serbisë dhe institucionet përkatëse duhet të respektojnë dhe zbatojnë standardet ndërkombëtare në lidhje me personat e pagjetur; Familjet e personave të pagjetur duhet të kenë të drejtën për të ditur lidhur me fatin e të afërmve të tyre që nuk u gjetën si pasojë e konfliktit të armatosur; Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për zbulimin e fatit të të pagjeturve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.