BALLKANI

Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, as pas përpjekjes së 50-të

Nga 104 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati

Agim Sulaj  | 21.07.2025 - Përdıtësım : 21.07.2025
Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, as pas përpjekjes së 50-të Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për skadimin e afatit të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është shënuar përpjekja e 50-të me radhë e dështuar, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 104 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

"Për sot ndërpritet seanca, seanca vazhdon më 23 korrik 2025 në ora 11:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

- Pritet që presidentja Osmani t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse nuk ka zgjidhje për bllokadën e krijuar në procesin e konsitutimit të Kuvendit, sot do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Osmani tha se afati i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet, ose për mosrespektim duhet të ketë pasoja juridike.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por, pa bërë të ditura pasojat e moszbatimit të këtij afati.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın