Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës as pas përpjekjes së 43-të
- Nga 99 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës edhe pas përpjekjes së 43-të me radhë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme të deputetëve për votimin e kryetarit të këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit "ad-hoc" për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 99 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
"Për sot ndërpritet seanca, vazhdojmë më 9 korrik në orën 11:00", tha kryesuesi i seancës, Dehari.
Më 28 qershor u zhvillua një takim midis krerëve të partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja, por, pa rezultate konkrete. Gjithashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim javën e kaluar krerët e partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për hapjen rrugë të formimit të institucioneve të reja.
Pas takimeve me presidenten, krerët e partive Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thanë se barra për formimin e institucioneve i takon partisë së parë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj Albin Kurti.
Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu.