BALLKANI

Një i vdekur nga moti i keq në Shqipëri, përmbytje në disa qytete

Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet paraqitet në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore

Fatjon Cuka  | 08.01.2026 - Përdıtësım : 08.01.2026
Një i vdekur nga moti i keq në Shqipëri, përmbytje në disa qytete Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Shqipëria është përfshirë në ditët e fundit nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete, ndërkohë është shënuar një i vdekur, raporton Anadolu.

Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet paraqitet në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.

Ndërkohë, autoritetet, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë vazhduar angazhimin në zonat e përmbytura për evakuimin e familjeve dhe largimin ujit, ndërsa disa zona janë përfshirë edhe nga reshjet e borës.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, duke krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

"Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve", thuhet në njoftim.

- Humb jetën një person

Autoritetet kanë urdhëruar sot evakuimin e banorëve në disa zona të prekura nga përmbytjet.

Ndërkohë, Policia e Durrësit ka konfirmuar se një person i moshës 54-vjeçare është gjetur i vdekur në një kanal kullues pasi sipas policisë dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.

- Banorët e Durrësit rrëfejnë për Anadolu dëmin që kanë përjetuar nga përmbytjet

Një nga qarqet më të prekura nga përmbytjet e fundit është edhe Qarku i Durrësit, ku banorët tregojnë për Anadolu se situata është problematike prej disa ditësh.

Altin Lleshi, 41-vjeç, banor i Durrësit, tregon se banesa e tij është përmbytur. "Janë bërë shumë dëme, janë shkatërruar me gjithçka që kemi pasur në shtëpi. Kemi mbi 80 cm ujë në shtëpi", tregon ai.

Bektash Shahini, 66-vjeç, është një tjetër banor i Durrësit banesa e të cilit është përmbytur nga reshjet e fundit. Ai tregon që është hera e parë që shtëpia e tij përmbytet. "Asnjë lloj mundësie nuk na u dha sepse na erdhi uji direkt na bllokoi", shprehet ai.

Altin Prifti, 42-vjec, banor i Durrësit shprehet se banesa është e përmbytur prej disa ditësh dhe se ka prezencë të ujit nëpër banesa të tjera. "Situata është shumë e vështirë. Na janë përmbytur komplet orenditë shtëpiake. Shtëpia ka dalë jashtë funksionit", tregon ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.