BALLKANI

Një muaj paraburgim për shtetasin serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Shtetasi i Serbisë, akuzohet se si komandant i nënstacionit policor në Zhegër të Gjilanit, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar vrasjen e 13 anëtarëve të familjes Hyseni dhe Shabani

Agim Sulaj  | 17.09.2025 - Përdıtësım : 17.09.2025
Një muaj paraburgim për shtetasin serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për veprën penale "krime lufte kundër popullatës civile", me inicialet D.N., transmeton Anadolu.

Siç njofton Gjykata, D.N., shtetas i Serbisë, akuzohet se si komandant i nënstacionit policor në Zhegër të Gjilanit, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar vrasjen e 13 anëtarëve të familjes Hyseni dhe Shabani, në shtëpinë e familjes Hyseni.

"Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenit 86 dhe 87 të protokollit shtesë i të vitit 1977, Konventës së Gjenevës e vitit 1949, duke vepruar në përgjegjësinë komanduese, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandalojë apo ndëshkojë kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serbë, të kryera me datë 30 prill 1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni", thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni "i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për t'i paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme".

Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë dhe mund të jetë i paarritshëm për fazat tjera të procedurës penale.

Shtetasi serb me inicialet D.N. u arrestuar para dy ditësh në pikëkalimin kufitar "Dheu i Bardhë".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.