Nis në Prishtinë festivali ndërkombëtar i filmit PriFest
Festivali në të cilin garojnë filma nga vendet e Ballkanit dhe më gjerë u hap me filmin e regjisorit Ilirjan Himaj - “Ngryk”

Prishtinë
Me një ngjarje ceremoniale sonte është hapur edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë - PriFest, raporton Anadolu.
Festivali në të cilin garojnë filma nga vendet e Ballkanit dhe më gjerë u hap me filmin e regjisorit Ilirjan Himaj - “Ngryk”.
Në edicionin e 17-të të këtij festivali, kategoria e filmave artistik të metrazhit të gjatë nga Ballkani vjen me gjashtë filma që rrëfejnë histori prekëse dhe dramatike për lirinë, dashurinë dhe identitetin. Me një përzierje premierash botërore, rajonale dhe vendore, kjo kategori pasqyron energjinë, diversitetin dhe shpirtin e kinemasë.
Përveç “Ngryk” nga Ilirjan Himaj - Kosovë, Shqipëri, në kategorinë kryesore të PriFest-it garojnë edhe filmat: “Emily” nga Ajola Daja - Shqipëri; “The pavilion” nga Dino Mustafiq- Bosnë e Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mali i Zi; “Eternity Package” nga Magdelena Ilieva - Bullgari, Itali; “Burri i shtëpisë” nga Andamion Murataj - Shqipëri, Itali, Austri, Kroaci, Kosovë, Maqedoni e Veriut; si dhe “Cycle” nga Erkan Tahhuşoğlu - Turqi, Kosovë.
Prishtina International Film Festival (PriFest) është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit në Kosovë, i themeluar në vitin 2008 në Prishtinë. Qëllimi i tij është promovimi i kinemasë evropiane dhe asaj ndërkombëtare, si dhe mbështetja e autorëve të rinj nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit.
Festivali shfaq filma artistikë, dokumentarë dhe metrazhe të shkurtra, duke u dhënë hapësirë edhe prodhimeve të reja nga vendet e Evropës Juglindore. Përveç programit garues, PriFest zhvillon edhe aktivitete të shumta si punëtori, masterclass, takime mes kineastëve dhe sesione për bashkëprodhime, duke shërbyer si një urë lidhëse mes krijuesve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.
Prifest mbahet në Kino Armata në qendër të Prishtinës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.