Nikollovski në Bruksel: Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është politik
Zv/kryeministri Nikollovski u shpreh skeptik nëse çështja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, e cila pengon anëtarësim e vendit në BE, do të jetë çështje e fundit që kërkon zgjidhje për rrugën evropiane të vendit
Shkup
Zv/kryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski ka deklaruar se procesi i anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian (BE) është politik, pasi sipas tij, “nuk ka pasur asnjë zgjerim të bllokut evropian që nuk ka qenë politik”, transmeton Anadolu.
Në seancën e parë të samitit BE-Ballkani Perëndimor 2025, të mbajtur në Bruksel, me titull “Zgjerimi ka rëndësi: Kufiri i ri gjeopolitik, ekonomik dhe i sigurisë i Evropës”, Nikollovski u shpreh se rajoni, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë luftuar me dekada të tëra për integrimin në BE dhe theksoi se nuk ka asnjë dyshim se për rajonin nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO.
Sipas tij, ajo që ka bërë Maqedonia e Veriut që nga vitet e 90-ta për anëtarësimin në BE dhe NATO është një “histori e pafundme”. Ai theksoi se vendi i tij ndryshoi emrin dy herë.
“Së pari ishte përdorimi ndërkombëtar i emrit ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM). Pastaj na u desh përsëri ta ndryshojmë emrin për të gjithë botën dhe për përdorim të brendshëm në Maqedoni të Veriut. Ndryshuam monedhën, ndryshuam flamurin, ndryshuam kushtetutën shtatë herë deri më tani. Ka një kërkesë për tetë herë tani. Dhe është thjesht një histori e pafundme”, tha Nikollovski.
Ai theksoi se për rajonin “mungon vullneti politik” dhe shprehu “frikë” se çfarë mund t’i ndodhë rajonit në të ardhmen nëse dështon në anëtarësimin në BE.
“Lidhur me BE-në, përsëri, pajtohem plotësisht se procesi është politik. Nuk ka pasur asnjë zgjerim të BE-së që nuk ka qenë politik, duke filluar nga Greqia dhe Portugalia në shekullin e kaluar deri te zgjerimi i madh në fillim të këtij shekulli me Bullgarinë, Rumaninë. Gjithmonë ka qenë politik”, tha Nikollovski.
Ai u shpreh skeptik nëse çështja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, e cila pengon anëtarësim e vendit në BE, do të jetë çështje e fundit që kërkon zgjidhje për rrugën evropiane të vendit, por theksoi se “vendi nuk duhet dhe nuk po dorëzohet” dhe po punon për këto qëllime strategjike.
“Pra, nuk është se nuk po punojmë. Nuk është se nuk po përpiqemi ose se nuk po kërkojmë partnerë. Dhe, është e qartë, partnerët janë ku ne përkasim, në qytetërimin perëndimor”, tha ai.
Duke folur për të ardhmen e rajonit, ai tha se duhet të investohet në lidhjen mes vendeve të rajonit, përkatësisht në korridore, autostrada dhe hekurudha, që sipas tij “mund ta ndryshojnë dhe formësojnë të ardhmen e përbashkët të rajonit.
Ai potencoi se ende ka forca shumë të fuqishme në rajon të cilat kanë “vizion krejtësisht të ndryshëm” dhe të cilat presin momentin e dështimit për të marrë pushtetin.
“Mendoj se ata thjesht presin që procesi të dështojë. Nuk është vetëm orientim gjeostrategjik, është edhe orientim kriminal. Është gjithashtu zgjimi i disa kujtimeve të këqija nga e kaluara që janë kryesisht ekstreme nacionaliste, të cilat i pamë për fat të keq në vitet e 90-ta”, tha Nikollovski.
- Bërnabiq: Procesi i anëtarësimit të rajonit në BE nuk është i bazuar në meritë
Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiq, e cila po ashtu ishte e pranishme në këtë seancë përmes video-lidhjes, lidhur me zgjerimin e BE-së u shpreh “konfuze për sa i përket perspektivës nëse bazohet në meritë apo vullnet politik”.
“Absolutisht nuk është një proces i bazuar në meritë dhe mendoj se të vazhdosh të insistosh në atë frazë, se është i bazuar në merita, pothuajse tingëllon si një ofendim për shumicën prej nesh në Ballkanin Perëndimor, sepse nuk ka të bëjë fare me përcaktimin e qëllimeve dhe pastaj, kur të arrini qëllimet në lidhje me zbatimin e reformave, klasteret magjikisht do të hapen... nuk do të ndodhë”, tha Bërnabiq.
Ajo përmendi procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut, që sipas saj dërgon “të gjitha sinjalet e gabuara” nëse bazohet në meritë apo në vullnet politik.
“Mendoj se miqtë dhe fqinjët tanë nga Maqedonia e Veriut duhet të jenë edhe më shumë të frustruar, më konfuz dhe më të zhgënjyer, sepse ajo që kanë kaluar në lidhje me zgjidhjen e çështjeve të tyre të hapura me Greqinë, ndryshimin e emrit të vendit dhe mos marrjen e një date për të filluar negociatat thjesht dërgon të gjitha sinjalet e gabuara”, tha Bërnabiq.
Kryeparlamentarja serbe përgëzoi Shqipërinë për progresin në procesin e anëtarësimit në BE.
“Në më pak se dy vjet ata arritën të hapin të gjithë klasterët. Për Serbinë u deshën 11 vjet për të hapur dy klasterë nga gjashtë. Kështu që jam shumë konfuze dhe nuk kam ide se në çfarë bazohet i gjithë ky proces integrimi dhe çfarë duhet të bëni në të vërtetë për të përparuar. Nuk bazohet në meritë, nëse është politike ose jo, unë nuk arrij ta kuptoj në të vërtetë logjikën e procesit”, tha ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
