
Albania
TIRANË (AA) - Niko Peleshi, deputet i Partisë Socialiste, është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë, raporton Anadolu.
Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur seancën e parë të Legjislaturës së 11-të, e dalë nga zgjedhjet e majit, ku u betuan edhe deputetët e rinj.
Pas betimit të deputetëve u votua për kryeparlamentari e ri, ndërkohë, Peleshi u zgjodh në krye të Kuvendit me 84 vota pro dhe 3 kundër, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Deputetët e partisë opozitare, të Partisë Demokratike, nuk propozuan kanditat për kryeparlamentar dhe nuk morën pjesë në votim.
Gjatë fjalës së parë të mbajtur si kryeparlamentar, Peleshi tha se gjatë kësaj legjislature Kuvendi i Shqipërisë do të jetë aleat i palëkundur i forcimit të shtetit ligjor dhe pavarësisë së institucioneve.
Peleshi e vuri theksin edhe tek procesi i integrimit evropian të vendit, duke theksuar se është privilegj i rrallë për një parlament të ketë në dorë një detyrë kaq përcaktuese për të ardhmen e vendit.
"Ne deputetët e kësaj legjislature jemi bashkudhëtarë dhe kontribuues në segmentin final të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Evropian dhe institucionet e BE-së do të thellohen më tej", theksoi ndër të tjera Peleshi.
Gjatë fjalës së Peleshit, deputetë e opozitës krijuan edhe momente tensioni, duke iu rënë me duar tavolinave. Ndërkohë, edhe pjesa e parë e seancës gjatë paradites u shoqërua me tensione.
Kuvendi i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 11 majit është konstituuar sot, ndërkohë në ditët në vazhdim do të mbahet seanca për miratimin e qeverisë së re.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mandatuar sot kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për krijimin e qeverisë së re, e cila do të votohet nga Kuvendi në ditët në vazhdim.
- Karriera politike e kryeparlamentarit Peleshi
Niko Peleshi ka lindur në Korçë, më 11 nëntor 1970. Sipas jetëshkrimit të publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Shqipërisë, Peleshi ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës duke marrë titullin “Inxhinier elektronik”.
Prej shtatorit të vitit 2013 deri në maj 2017 ai ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë. Gjatë periudhës shtator 2017 – janar 2019 Peleshi ka mbajtur postin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Prej janarit 2021 deri në korrik 2024 ka mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.
Peleshi gjithashtu ka mbajtur poste drejtuese edhe në pushtetin lokal, si prefekt dhe kryebashkiak i Korçës.
- Zgjedhjet e 11 majit
Më 11 maj 2025 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetë.
Partia Socialiste, partia në pushtet e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama fitoi zgjedhjet, duket siguruar mandatin e katërt qeverisës.
Sipas rezultateve zyrtare, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate. Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, renditet i dyti me 50 mandate.
Partia Socialdemokrate, ka fituar tre mandate, Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" dhe Partia Lëvizja Bashkë nga një mandat.