BALLKANI

Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në Kosovë

Siç ka bërë të ditur Prokuroria, aktakuza është ngritur për veprën penale "Asgjësimi i dokumenteve të votimit"

Agim Sulaj  | 22.01.2026 - Përdıtësım : 22.01.2026
Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në Kosovë Foto: Prokuroria e Shtetit

Prishtinë

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, transmeton Anadolu.

Siç ka bërë të ditur Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për media, aktakuza është ngritur për veprën penale "Asgjësimi i dokumenteve të votimit", e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

"Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.

Prokuroria tha se me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë kësaj jave mori vendim për rinumërim të plotë të votave të 28 dhjetorit pas shumë keqpërdorimeve që u evidentuan me rastin e pjesshëm të numërimit të votave.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.