BALLKANI

Nga Gaza në Mostar: Rajab gjen strehën që prindërit e saj kishin gjetur në Palestinë gjatë luftës në Bosnjë

"Tridhjetë vjet më vonë, edhe unë u detyrova të lë vendlindjen time për shkak të luftës... Sigurinë që prindërit e mi e kishin gjetur dikur në Gaza, ne sot e gjetëm këtu në Bosnjë e Hercegovinë", thotë Samira El-Barawy Rajab

Kemal Zorlak, Lejla Biogradlija  | 24.09.2025 - Përdıtësım : 24.09.2025
Nga Gaza në Mostar: Rajab gjen strehën që prindërit e saj kishin gjetur në Palestinë gjatë luftës në Bosnjë Kemal Zorlak

Mostar

KEMAL ZORLAK

Samira El-Barawy Rajab nga Gaza ka gjetur në qytetin e Mostarit të Bosnjë e Hercegovinës të njëjtën ndjenjë sigurie që prindërit e saj e kishin përjetuar dikur në Gazë, ku ishin strehuar gjatë luftës së viteve 1992–1995 në Bosnjë e Hercegovinë. Këtë ndjenjë ajo po e përjeton tani, shumë vite më vonë, pasi edhe vetë u detyrua të largohej nga vendlindja për shkak të një tjetër lufte.

Rajab, e cila u detyrua të largohej nga Gaza e saj e lindjes në vitin 2023 për shkak të sulmeve izraelite, tani u ofron boshnjakëve ushqime të ëmbla dhe të kripura të vendit të saj në një dyqan që hapi në Mostar të quajtur "Shtëpia Palestineze".

Duke folur për Anadolu, Rajab rrëfen se babai i saj Samir kishte ardhur në kryeqytetin e Bosnjës Sarajevë në vitet 1980 për të studiuar, ku ishte njohur me nënën e saj, Sutka Selimoviq. Ajo shpjegoi se gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë në vitet 1992–1995, prindërit e saj kishin shkuar në Gaza për të gjetur siguri.

"Tridhjetë vjet më vonë, edhe unë u detyrova të lë vendlindjen time për shkak të luftës. Shtëpia jonë u shkatërrua gjatë sulmeve izraelite. Sigurinë që prindërit e mi e kishin gjetur dikur në Gaza, ne sot e gjetëm këtu në Bosnjë e Hercegovinë", tha ajo.

Rajab theksoi se është shumë e lumtur për hapjen e dyqanit të saj, të realizuar në bashkëpunim me organizatën humanitare "pomozi.ba" dhe Zyrën e Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Ajo thotë se ndihet si boshnjake dhe dëshiron të jetojë në Bosnjë e Hercegovinë.

Duke ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë shijet palestineze të vizitojnë dyqanin e saj, Rajab tha: "U jemi shumë mirënjohës popullit të Bosnjë e Hercegovinës dhe të Mostarit. Kam dy atdhe: njëri është Gaza, tjetri Bosnjë e Hercegovina. Nuk jemi ndier asnjëherë të huaj".

Ajo tregoi se bashkëshorti dhe të afërmit e saj ndodhen ende në Gazë, duke shtuar: "Kemi humbur shumë njerëz nga të afërmit tanë. Fëmijët kanë mbetur jetimë, gratë pa bashkëshortë".

- "Ndaleni këtë çmenduri"

Babai i saj, Samir El-Barawy, kujtoi se në ditën e 40-të të sulmeve izraelite ndaj Gazës ishin detyruar të largoheshin nga shtëpia.

"Në Bosnjë e Hercegovinë nuk na lanë kurrë vetëm. Këtu arritëm të hapim një faqe të re në jetën tonë, por zemra dhe mendja ime janë në Gaza. Populli im po vritet", tha ai.

El-Barawy theksoi se për atë që po ndodh në Gazë janë të gjithë përgjegjës.

"Ne nuk kërkojmë asgjë nga kjo botë. Vetëm të kemi ujë të pastër dhe fëmijët tanë të mos vuajnë nga uria. Çdo ditë shohim dhjetëra mijëra njerëz që po vriten. Ndaleni këtë çmenduri! Kjo është një luftë e turpshme", deklaroi ai.

Zëdhënësi i UNHCR-së, Neven Crvenkoviq tha se synimi i tyre është t'i ndihmojnë familjet që vijnë nga zonat e luftës dhe t'i zëvendësojnë traumat e tyre me kujtime të bukura.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın