Kulturë, BALLKANI

NEWBORN, monumenti simbol i pavarësisë së Kosovës

"NEWBORN ka qenë nismë vetanake, me idenë që t'i tregojmë botës se ne dimë të bëjmë edhe gjëra të bukura", theksoi autori i monumentit, Fisnik Ismaili për AA

17.02.2022 - Përdıtësım : 17.02.2022
NEWBORN, monumenti simbol i pavarësisë së Kosovës Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Agim Sulaj

Bashkë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, në zemër të kryeqytetit, Prishtinës, si paralajmërim për lindjen e shtetit të ri, u zbulua monumenti me shtatë shkronja "NEWBORN", i cili tash e atëherë është një nga atraksionet turistike të vendit.

Skulptura tipografike e cila përmban fjalën angleze "Newborn" (sapolindur) në shkronja të mëdha me skelet çeliku, arrin peshën e 9 tonëve, ka 3 metra lartësi dhe 24 metra gjerësi ndërsa është punuar për 10 ditë pa ndërprerë para se të përfundonte dhe të zbulohej.

Autori i saj, Fisnik Ismaili në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se ideja për bërjen e këtij monumenti ishte nga një dëshirë e brendshme për të lënë gjurmë në datën më të rëndësishme të një shteti, pavarësisë.

"Ka qenë nismë vetanake, me idenë që t'i tregojmë botës se ne dimë të bëjmë edhe gjëra të bukura, pra, ta përçojmë këtë mesazh në gjithë botën. Sepse, unë kam jetuar 13 vjet në Angli dhe çdoherë që dilte ndonjë artikull për Kosovën edhe në ato raste kur artikulli ka qenë në kontekst të mirë, fotografia e artikullit ka qenë ose e një plaku pa dhëmbë ose e një shtëpie gjysmë të rrëzuar dhe nuk e reflektonte vizualisht realitetin", theksoi Ismaili.

NEWBORN nuk është sikurse monumentet tjera të zakonshme për nga aspekti i jashtëm. Ai merr ngjyra dhe simbole të llojllojshme për çdo vit, varësisht aktualitetit dhe ngjarjeve që karakterizojnë Kosovën brenda një periudhe njëvjeçare.

- Tema e sivjetme është gruaja

Pamjen e sivjetme, Ismaili thotë se kanë pasur dilemë që t'ua dedikojnë humbjeve të më të dashurve nga COVID-19 apo grave ndërsa është vendosur për gratë, me idenë se COVID-19 është në largim e sipër dhe duhet të harrohet nga shoqëria.

"Kjo e sivjetmja është shumë aktuale, ka të bëjë me fuqizimin e gruas. Kjo i prekë dy tema që kanë të bëjnë me gruan. Ne ose kemi gra shumë të suksesshme në sport, muzikë, në fusha të ndryshme në botë ose kemi gra të abuzuara, gra që po vriten prej burrave në një shoqëri patriarkale dhe ky është një paradoks. Tema e sivjetme e ka titullin 'winged women' (gratë me krah), domethënë, dëshirojmë që t'u japim grave krahë. Edhe atyre që po abuzohen dëshirojmë t'i vetëdijesojmë njerëzit që gruaja është ajo që po na zbardhë fytyrën në gjithë botën", thotë ai.

Autori Ismaili thotë se monumenti i NEWBORN i është dukur gjithmonë më i madh se vetë jeta e tij ndërsa thotë se për këtë arsye e ndjenë obligim që ta mirëmbajë dhe të ndryshojë atë për çdo vit pavarësisht mungesës së ndonjë përkrahjeje institucionale.

- U zbulua me pjesëmarrje të mbi 150 mijë njerëzve

Nga viti kur u zbulua ky monument në ceremoninë e të cilit morën pjesë mbi 150 mijë njerëz për të nënshkruar, përfshirë edhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu e ish-kryeministrin Hashim Thaçi, për 5 vite me radhë ai qëndroi me pamjen e njëjtë.

Nga viti 2013, për çdo vit, pamja e re e këtij monumenti ka provuar të përçojë mesazhe të ndryshme me imazhe të ndryshme, si: flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë, izolimi i Kosovës me regjim të vizave, kujtimi për të rënët në luftën për liri, emigrimin e qytetarëve, mbrojtjen e tokës, e të tjera.

NEWBORN ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to, çmimin më të lartë në botë në fushë e dizajnit atë të "Luanit të Artë" në Kanë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.