BALLKANI

"Nevojitet qasje më e koordinuar midis vendeve për të tejkaluar plotësisht pasojat e COVID-19"

Ministrat e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Oliver Spasovski dhe Hristo Terzijski, bashkë-kryesuan takimin e Ministrave të Brendshëm në Procesin e Berlinit

Admir Fazlagikj  | 16.10.2020 - Përdıtësım : 17.10.2020
"Nevojitet qasje më e koordinuar midis vendeve për të tejkaluar plotësisht pasojat e COVID-19" Foto: MPB e Maqedonisë së Veriut/AA

Shkup

Ministrat e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Oliver Spasovski dhe Hristo Terzijski, bashkë-kryesuan takimin e Ministrave të Brendshëm në Procesin e Berlinit, transmetmon Anadolu Agency (AA).

Takimi me titull "Siguria kombëtare, ndërkufitare dhe siguria e njerëzve në kohë të pandemisë: strategji, koordinim dhe sinergji midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor" u mbajt përmes një video konference të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit, MPB e Maqedonisë së Veriut publikoi deklaratën e përbashkët të ministrave Spasovski dhe Terzijski.

"Ne e vlerësojmë shumë mundësinë që të dy vendet të bashkëkryesojnë Procesin e Berlinit në vitin 2020 dhe të kontribuojnë në mënyrë efektive në sigurinë rajonale, të diskutojnë hapur tema me rëndësi të madhe dhe të kërkojnë zgjidhje praktike. BE dhe Ballkani Perëndimor ndajnë të njëjtat vlera dhe parime. Ne përballemi me të njëjtat sfida në luftën kundër krimit të organizuar dhe serioz, luftën kundër terrorizmit, menaxhimin e migracionit, mbrojtjen e kufirit, luftën kundër korrupsionit", thuhet mes tjerash në njoftim.

Në deklaratën e përbashkët gjithashtu thuhet se pas diskutimeve në takimin e sotëm, ministrat nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit ranë dakord që të forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre, kryesisht si pjesë e agjendës së tyre të sigurisë, por më specifikisht në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes rajonale të lëvizjes së lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Ndër të tjera, në deklaratë theksohet se "heqja e pengesave për lëvizjen e njerëzve në rajon, si dhe qarkullimi i vazhdueshëm i mallrave, shërbimeve dhe kapitalit mbetet një parakusht kryesor për qëndrueshmërinë e agjendës së ardhshme socio-ekonomike të rajonit dhe përmirësim të mekanizmave të koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve kufitare të policisë në kontekstin e pandemisë COVID-19".

Gjithashtu theksohet se sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19 kanë pasoja serioze për zhvillimin socio-ekonomik si rezultat i rritjes së kontrolleve kufitare, futjes së kufizimeve të përkohshme dhe masave të marra në nivel kombëtar, rajonal dhe në nivel të BE-së që synojnë parandalimin e përhapjes së pandemisë.

"Nevojitet një qasje më e koordinuar midis vendeve për të tejkaluar plotësisht pasojat e COVID-19, si dhe për të siguruar administrimin efektiv të të gjitha sfidave në fushën e mbrojtjes së kufirit dhe migrimit", qëndron në deklaratë.

"Ne besojmë se samiti i ardhshëm i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në kuadër të Procesit të Berlinit i planifikuar të mbahet në Sofje më 10 nëntor 2020 do të sigurojë mbështetjen e nevojshme në nivelin më të lartë politik për të zbatuar prioritetet tona dhe për të vazhduar bashkëpunimin tonë në të ardhmen", thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të ministrave Spasovski dhe Terzijski.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.