BALLKANI

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori shqiptar Enver Petrovci

Petrovci ishte i njohur për rolet e tij të paharrueshme në teatër, film dhe televizion, duke shfaqur një talent të rrallë për interpretim

Agim Sulaj  | 22.09.2025 - Përdıtësım : 23.09.2025
Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori shqiptar Enver Petrovci Burimi: Enver Petrovci/Facebook

Prishtinë

Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare një nga figurat më të njohura të botës së artit shqiptar, aktori dhe regjisori Enver Petrovci, transmeton Anadolu.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Teatri Kombëtar i Kosovës, të cilët kanë shprehur ngushëllime duke shtuar se informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Petrovci ishte i njohur për rolet e tij të paharrueshme në teatër, film dhe televizion, duke shfaqur një talent të rrallë për interpretim.

Enver Petrovci u lind në vitin 1954 në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, mbaroi studimet për aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1972) në Prishtinë, ndërsa në Beograd kreu Fakultetin e Arteve Dramatike (1978).

Me shfaqjet “Mblesëria” dhe “Martesa” të A. P. Çehovit, si student, mori pjesë në të gjitha festivalet e ish-Jugosllavisë, si dhe në disa festivale ndërkombëtare. Pas diplomimit punoi në Teatrin Jugosllav të Dramës.

Në “Atele 212” luajti rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosançiçit”, ndërsa pas kësaj shfaqjeje, në vitet ’80 u angazhua kryesisht në rolet kryesore teatrore. Me thellimin e krizës në ish-Jugosllavi, u largua nga Beogradi dhe në Prishtinë luajti shfaqjet “Konfiteori”, “Procesi” dhe “Nastasja Filipovna”.

Ndërkohë u angazhua në disa teatro të rëndësishme, si në Dubrovnik, në Suboticë, në Novi-Sad dhe të tjerë.

Në fillim të viteve ’90 u zgjodh ligjërues i aktrimit dhe i diksionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Në vitet 1990–1993 ishte themelues dhe drejtor i Teatrit “Dodona” në Prishtinë. Pas largimit nga puna në Teatrin “Dodona”, në vitin 1994 themeloi shkollën e parë private të aktrimit “Actor’s Studio” në Prishtinë.

Luajti një numër të madh rolesh teatrore dhe në dhjetëra filma, seriale dhe drama televizive, kryesisht në role kryesore.

Në mesin e roleve kryesore në filma dhe seriale televizive, do veçohej “Kur pranvera vonohet” (1980), “Dhimbja krenare” (1990) dhe “Rojat e mjegullës” (1988).

U shpërblye me shumë çmime si në festivalet teatrore më prestigjioze të ish-Jugosllavisë, ashtu edhe në ato në Kosovë dhe Shqipëri.

Krahas aktivitetit artistik, Petrovci punonte edhe si pedagog në degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın